Filmi "Vera andrron detin" do të ketë premierë botërore në Festivalin e Filmit të Venedikut

Filmi i metrazhit të gjatë “Vera andrron detin”, me skenar nga Doruntina Bashës dhe regji të Kaltrina Krasniqit do të ketë premierën në një ndër festivalet më të vjetra dhe më të mira në botë, “Venice Film Festival”.

Festivali “Venice Film Festival”, i 78-i me radhë do të mbahet nga 1 deri më 11 shtator 2021.

Qendra Kinematografike e Kosovës ka bërë të ditur se filmi “Vera ndrron detin” do të garojë në programin “Orizzonti” të këtij festivali.

“Filmi është në konkurrencë zyrtare në programin Orizzonti ku president e jurisë është regjisorja Boshnjake Jasmila Zbaniç, ku filmi konkurron për: Filmin më të mire, Regjinë më të mire, Çmimin special të jurisë, aktorin dhe aktoren më të mirë, dhe për skenarin më të mirë”, thuhet në njoftimin e QKK-së në Facebook.

Ndërsa pas njoftimit për përfshirjen e filmit “Vera andrron detin”, regjisorja e filmit Kaltrina Krasniqi është shprehur se është realizuar ëndrra e saj për prezantim të filmit të saj në një festival sikurse i Venedikut.

“Vera andrron detin” flet për Verën, gruan e cila lufton një realitet të vrazhdë pabarazish gjinore të rrënjosura thellë në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Në film luajnë: Teuta Ajdini Jegeni, Alketa Syla, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Arona Zyberi, Aurita Agushi, Ilire Vinca, Xhevat Qorraj, etj.

Filmi është bashkëprodhim në mes të Kosovës (Puntoria Kreative Isstra, Vera Films), Maqedonisë së Veriut (Dream Factory) dhe Shqipërisë (Papadhimitri Productions) i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Projekti është prezantuar dhe zhvilluar në Midpoint, Sarajevo FF ëork in progress, Prifest, Seatle IFF work in progress, First cut lab dhe gjithashtu është mbështetë nga Komuna e Prishtinës, MKRS, dhe Kuvendi i Kosovës.

Sken nga filmi ‘Vera andrron detin’. Foto: QKK