Filmi norvegjez ‘As I fall’ triumfon në edicionin e 12-të të festivalit ‘Hyjnesha në fron’

Filmi  norvegjez ‘As I fall’ me regji të Magnus Arnesen është shpallur filmi më i mirë i edicionit të 12-të të festivalit të filmit “Hyjnesha në fron”, që u mbyll dje në mbrëmje.

Filmi ‘As I fall’ (Ndërsa unë bie) ka marrë çmimin “Filmi më i mirë i gjatë” në edicionin e sivjetmë të “Hyjneshës në fron”.

Në natën finale të këtij festivali janë ndarë edhe një sërë çmimesh.

Çmimi “Dokumentari më i mirë” e mori filmi “World taxi” me regji të Philipp Mayer.

Çmimi special i festivalit për film të shkurtë shkoi për “Shadows” të Victoria Karakoleva, ndërsa çmimin “Skenari më i mirë për film të shkurtë” e mori filmi “Klithma” i Korab Lecajt.

Çmimi special nga festivali për film të gjatë shkoi për “Away from the shorë” të Kostadin Bonev. Kurse, çmimi “Skenari më i mirë për film të gjatë” e mori filmi “Hawaii” me regji të Jesus del Cerro. “Regjia më e mirë për film të gjatë” i takoi  Maryam Zahirimehr për filmin “Endless”. Ndërkaq, çmimin “Aktori më i mirë” e rrëmbeu  Preben Hodneland për interpretim në filmin “As I fall”.

Festivali “Hyjnesha në Fron” ka nisur edicionin e tij të 12-të më 27 shtator 2019 dhe zgjati deri më 1 tetor 2019. Gjithsej në konkurrencë kanë qenë 9 filma të metrazhit te gjatë, 2 filma në programin special të festivalit, 22 filma të shkurtë dhe 5 filma dokumentarë.

Festivali i filmit i Kosovës “Hyjnesha në Fron” është krijuar në vitin 2002 nga aktori dhe regjisori Besim Ajeti dhe është festivali i parë i filmit në Kosovë.