Skenë nga filmi ‘Luaneshat e Kodrës’. Foto: QKK

Filmi kosovar në fokus të festivalit ‘New Horizons’ të Polonisë

Një vend i veçantë i është rezervuar kinematografisë kosovare në edicionin e sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit “New Horizons” që po mbahet në Wroclaw të Polonisë.

Këtë edicioni Festivali “New Horizons” ia ka dedikuar hapësirë të theksuar filmit kosovar, me program të veçantë të titulluar “Kosova në fokus” (Focus on Kosovo).

Filmat kosovarë, sipas uebfaqes së festivalit “New Horizons” cilësohen si produkt i çmueshëm, historitë e të cilëve fokusohen jo vetëm në çështjet e zgjimit feminist, por edhe në problemet kryesore morale, politike dhe ekonomike me të cilat përballet një vend evropian.

“Filmat më interesantë nga Kosova janë kryesisht filmat debutues dhe veçanërisht, ata të realizuar nga gratë”, thuhet ndër të tjerash në uebfaqen e festivalit.

Në kuadër të “Kosova në fokus” do të shfaqen filmat: “Zgjoi”, “Vera andrron detin”, “Në kërkim të Venerës”, “Luaneshat e kodrës”, “Shpia e Agës”, “Pa vend”, “Në mes”, “Exil”, dhe “Gardhi” të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Po ashtu në kuadër të këtij programi shfaqen filmat “When It Left, Death Did Not Even Close Our Eyes” dhe “Greetings from an Elsewhere”, filma të shkurtë prodhime të pavarura kosovare.

Festivali, “New Horizons” ka nisur më 21 korrik dhe zgjatë deri më 7 gusht 20222.