Filmi i regjisorit shqiptar shfaqet në Estoni

Filmi “Cirku Fluturues”  me regji të Fatos Berishës është shfaqur premierë botërore të mërkurën në mbrëmje në Talin të Estonisë.

Premiera e këtij filmi  është dhënë në kuadër të edicionit të 23 të ‘Black Nights Film Festival’ që po mbahet në Talin të Estonisë.

Filmi “Cirku Fluturues” që është në konkurrencën të zyrtare të këtij festivali do të ketë edhe dy shfaqje gjatë ditës së sotme (29 nëntor 2019) në kuadër të festivalit në Talin.

Edicioni i 23-të i Festivalit të Filmit në Talin ka nisur më 15 nëntor 2019 dhe do mbyllet nesër mbrëma, me ndarjen e çmimeve.

Filmi “Cirku Fluturues” bazohet në një ngjarje të vërtetë që ndodh në fund të viteve ’90 në Kosovë, në prag të luftës. Filmi rrëfen historinë e një grupi aktorësh nga Kosova të cilët gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

‘Cirku Fluturues’ është bashkëprodhim i Kosovës (B2 Films Kosovo dhe Ikone Studio), Shqipërisë (B2 Agency, Albania) dhe Maqedonisë Veriore (Black Cat Production). Filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë, dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë Veriore.