Filmi ‘Cirku fluturues' merr çmim në Itali

Filmi “Cirku fluturues”, me regji të Fatos Berishës, ka marrë çmimin “Filmi më i mirë ndërkombëtar” (Best International Feature Film) në edicionin e Pestë të Festivalit ‘Fabrique du Cinema” që u mbajt më 14 dhjetor në Romë të Italisë.

Lajmi për triumfin e filmit kosovar është bërë i ditur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, përmes një postimi në Facebook.

“Një lajm i mrekullueshëm vjen nga Italia ku filmi ‘Cirku Fluturues’ nga Fatos Berisha fiton çmimin për filmin më të mirë të gjatë të huaj. ‘Fabrique du Cinema Awards / Best International Feature Film – The Flying Circus’”, thuhet të njoftimin  e QKK-së.

Suksesi i filmit “Cirku fluturues” është pasqyruar edhe në uebfaqen e festivalit.

Filmi është një komedi bazuar në një ngjarje të vërtetë të fundit të viteve të ’90-ta. Një grupi aktorësh nga Kosova, gjatë kohës së luftës në mënyrë ilegale kalojnë kufirin e Malit të Zi dhe të Shqipërisë për të marrë pjesë në një festival të teatrit në Tiranë.

Në rolet kryesore luajnë: Armend Smajli, Tristan Halilaj, Afrim Muçaj, Shpëtim Selmani dhe Velibor Topiq.

Realizimi i filmi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Qendra Kombëtare Kinematografisë dhe Agjensioni i Filmit i Maqedonisë së Veriut.