Skenë gjatë xhirimeve të filmit ‘Back Home'. Foto; KALLXO.com

Filmi ‘Back Home’ kthehet me çmim nga Nju Jorku 

Regjisori Arbër Krasniqi ka marrë çmimin “Outstanding Achievement in Directing” në festivalin “International Filmmaker Festival of New York” (IFFNY),  që u mbajt nga 21 deri më 24 maj 2021 në Nju Jork të SHBA-ve.

Këtë çmim regjisori Krasniqi e mori me filmin e shkurtër artistik, “Back Home” që u shfaq në mesin e afër 100 filmave në edicionin e 10-të të këtij festivali.

Filmi “Back Home” rrëfen historinë e Malit, një të mbijetuar nga masakra në Burgun të Dubravës më 1999, të cilit pas shërimit nga sëmundja e amnezisë,  i duhet të përballet më tragjedinë familjare që ia la lufta.

Për më pak se 10 minuta, Krasniqit i është dashur ta përmbledhë rrëfimin për masakrën që kryen forcat serbe në Burgun e Dubravës gjatë luftës së Kosovës më 1999.

Në një bisedë për KALLXO.com, regjisori Krasniqi ka thënë se çmimi që ai ka marrë në IFFNY është një vlerësim të cilit i gëzohet çdo regjisor.

“Qëllimi i një regjisori, së pari është pjesëmarrja në festivale, por kur atij në ato pjesëmarrje i jepet një vlerësim, atëherë ai film e ka marrë formën e plotë të vlerësimit artistik”, ka thënë ai.

Regjisori Arbër Krasniqi. Foto: KALLXO.com

Krasniqi ka thënë se nuk e ka pasur të lehtë që brenda disa minutave të arrijë të tregojë një nga rrëfimet me rrënqethëse të luftës së Kosovës, atë çfarë përjetuan të burgosurit shqiptarë në Burgun e Dubravës.

“Filmi trajton një temë e cila është edhe temë botërore dhe përmes saj për pak minuta kemi arritur që atë çfarë ka ndodhur në atë burg ta bëjmë të njohur në gjithë botën”, ka thënë regjisori Krasniqi.

Skenë gjatë xhirimeve të filmit ‘Back Home’. Foto: KALLXO.com

Ai ka treguar se në fillim skenarin e kishte përgatitur për një film të metrazhit të gjatë, por për shkak të mungesës së fondeve financiare, ishte detyruar që filmin “Back Home” ta  realizonte në versionin e shkurtër artistik.

Pjesëmarrjen e filmave kosovarë në festivale ndërkombëtare ai e sheh si sukses të kinematografisë kosovare, pavarësisht vështirësive me të cilat po përballen prodhuesit e filmit në vend.

“Prodhimi i filmit te ne nuk është punë e lehtë, fondet publike që jepen për mbështetjen e kësaj fushe janë të pamjaftueshme, ndërsa pandemia që ka goditur jo vetëm vendin tonë, i ka vështirësuar edhe më shumë mundësitë e producentëve për të siguruar fondet për filmat e tyre”, ka thënë regjisori Arbër Krasniqi, për KALLXO.com.

Sipas tij, mundësitë e vogla financiare po lënë shumë skenarë në sirtarë të skenaristëve, duke thelluar edhe më varfërinë kinematografike në vend.

Ai ka thënë se historia dhe zhvillimet që kanë karakterizuar Kosovën për dekada, ofrojnë tematika të pafundme për kineastët.

Filmi “Back Home” trajton luftën dhe pasojat që la lufta e fundit në Kosovë.  Kryepersonazhi i filmit, Mali i mbijeton masakrës së burgut të Dubravës më 1999, dhe pas lufte i prekur nga amnezia dërgohet për shërim në SHBA. Pas shërimit, kthimit të kujtesës, ai kthehet te familja në fshatin e lindjes. Aty e kupton se e tërë familja e tij ishte vrarë nga forcat serbe. Gjithçka që gjeti ishte këpuca e vajzës së tij, tre vjeçare.

Skenë nga filmi ‘Back Home’. Foto: KALLXO.com

Filmi ‘Back Home” pati premierën botërore në IFFNY  ku regjisori Krasniqi mori çmimin “Outstanding Achievement in Directing”.

Foto: KALLXO.com

Deri më tani Krasniqi ka realizuar filmat: “Rrjeta”, “Rruga”, “Shpikësi”, “Para derës”, “Taksi”, “Heroi im”, “Smogu”, “Histori e pathënë”,  “Back Home”. Ai është bashkëregjisor në filmin e metrazh të gjatë artistik, “Kësulat ” me të cilin fitoi disa çmime.

Filmat e Arbër Krasniqit janë prezantuar në festivale ndërkombëtare e rajonale të filmit, si në: “Berlinale Claud”, “Film Short Cannes Corner”, “India Film Fest”, etj.

Skenë nga filmi ‘Back Home’. Foto: KALLXO.com
Posteri i filmit ‘Back Home’. Foto: KALLXO.com