Shfaqja ‘Kur hana del’ jepet nesër në Ferizaj

Teatri “Adriana Abdullahu” i qytetit të Ferizajt shfaq nesër, duke filluar nga ora 20:00, reprizën e shfaqjes “Kur hana del” me regji të Ben Apollonit.

E vendosur në një spital psikiatrik ngjarja e dramës “Kur hana del”  me tekst të Ag Apollonit, ndërtohet mes dy simboleve, hënës (që simbolizon luftën, tragjedinë, errësirën) dhe diellit (që simbolizon shpresën, jetën, lirinë).

Drama sugjeron lidhje të drejtpërdrejt me traditën shqiptare, gjë që përforcohet me motivin e besës, baladat shqiptare dhe këngët shqiptare, ndërsa storja lidhet me kontekstin historik të luftës në Kosovë dhe me shpalljen e Pavarësisë.

Në këtë shfaqje luajnë: Ali Krasniqi, Edona Berisha-Bekteshi, Vjosa Abazi, Dashuri Rexhepi, Jajush Ramadani, Arben Marevci, Sherif Bega, Mevlan Saraçi, Gresa Gashi, Ekrem Jakupi.