Fragment nga filmi, ‘37 Days’. Foto: Facebook/More Raça

More Raça: Java e filmit të grave, në kujtim të regjisores shqiptare, Xhanfise Keko

Edicioni i parë i festivalit, “Prishtina International Women’s Film Week” (Java Ndërkombëtare e Filmit të Grave) do të nisë të hënën e ardhshme, më 23 nëntor 2020. 

Festivali do të mbledhë filma të cilët për autore kanë gratë dhe temë trajtimi kanë po gratë. 

Regjisorja More Raça, drejtoreshë e festivalit, në një bisedë për Kallxo.com ka thënë se kjo javë e filmit që u kushtohet grave, nis më 23 dhe mbyllet më 30 nëntor 2020, kur edhe do të ndahet çmimi për filmin më të mirë.  

Çmimi i vetëm që do të ndahet në këtë festival, për filmin më të mirë, mban emrin e regjisores shqiptare, Xhanfise Keko. 

Për shkak të COVID-19, filmat do të shfaqen online në faqen e festivalin ‘Prishtina international Women’s Film Week’ 

“E kemi menduar si formë shumë më të thjeshtë dhe më lehtë të qasshme për audiencën, pa pasur nevojë të regjistrohen nëpër platforma të ndryshme dhe secili film do të jetë online për publikun, për 24 orë”, ka thënë Raça 

Sipas saj, gjatë kësaj jave do të shfaqen gjithsej 17 filma në konkurrencë zyrtare, ndërsa dy jashtë konkurrencës.  

“Dy filma që do të shfaqen jashtë konkurrence kanë për regjisorë burrat, por për subjekt kanë gruan, andaj kemi dëshiruar t’i shfaqim, mirëpo nuk do të jenë pjesë e garës. Filmat e festivalit janë nga shtete të ndryshme, kanë qasje dhe stile të veçantë dhe është një program mjaftë divers dhe interesant”, ka pohuar regjisorja Raça. 

Pjesë e këtij festivali do të jenë regjisore të njohura të filmit ndërkombëtar.  

Sipas Reaçës, ky festival është një mundësi e mirë që audienca kosovare të njoftohet me emra ndërkombëtar të filmit. Njëkohësisht, shton ajo edhe përvoja që në edicionet e ardhshme të krijohet edhe programi i filmave kombëtar dhe punëtori të ndryshme me regjisoret nga vendi, duke shpresuar që situata do të përmirësohet.  

Raça ka thënë se ideja për themelimin e këtij festival ka lindur kohë më parë. 

“Ideja dhe dëshira për me organizu një javë të tillë ka qenë qysh moti, përvoja si regjisore dhe pjesëmarrja në festivale të tilla ka qenë një përvojë shumë e mirë për mua. Festivalet më kanë mundësuar të prezantohem para një audience ndërkombëtare, gjë që është shumë e rëndësishme për një regjisor. Në të njëjtën kohë edhe audienca, dhe komuniteti artistik do të dëgjojë për autorë të ndryshëm dhe do të shikojë filma, rrëfime të ndryshme. Në fokus është gruaja, si artiste, idetë e temat të cilat ajo i trajton”, ka pohuar Raça, themeluese e festivalit.  

Ajo ka thë se çmimi për filmin më të mirë që do të ndahet do të mbajë emrin e regjisores shqiptare, Xhanfise Keko.

“Në këtë mënyrë kemi menduar ta nderojmë një regjisore me emrin e Xhanfises, në të njëjtën kohë ta përkujtojmë Xhanfisen, jo vetëm ne, por edhe audienca ndërkombëtare. Çmimi do të ndahet nga juria profesionale”, është shprehur Raça, për Kalllxo.com.  

Lista e filmave pjesëmarrës: 

“37 Days”- regjia: Nikoleta Leousi

“A Living sculpture”- regjia Diana Chire 

Staroye Delo”-regjisor: Alexandra Karam 

Black and White”- regjisor: Sandra Gjorgieva 

Camp 012”-regjia: Rouba Noureddine  

“French Cinema”–  Galina D. Georgieva

“023_GRETA_S”- regjia: Annika Birgel 

Home Girl”- regjia: Poonam Brah 

Seventeen years in a bag”- regjia: Joy Hallak 

Meeting”:- regjia: Nurbanu Asena 

My time”- regjia: Giulia Gandini 

Passage”- regjia: Kimia Hendi 

Recipe In Exile”- animator Chantal Kassarjian 

Ruins”- regjia: Valentina Khawand 

Trapped Women”-regjisor: Nataly Vergara Adrianzén 

“UKDE”- regjia: Ecem Çelik

Amalgamation”- regjia: Sylvia Nicolaides and Nicolas Iordanou 

Juria e cila do të bëjë vlerësimin e filmave përbëhet nga: Ismet Sijarina, Manon Nammour, Elvira Berisha, Simon B. SteinVasiliki Maltasoglou.  

Festivali “Prishtina International Women’s Film Week” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe është realizuar në partneritet me organizatën “Balkans Beyond Borders” (BBB) dhe “Beirut Film Society.