Foto nga Unum Festival në Shëngjin, Shqipëri.

Fillon festa: Rikthehen festivalet verore në Ballkan

Vendet në rajon po rikthejnë shumicën e festivaleve të tyre ndërkombëtarë të verës, pasi shumica u anuluan ose u zhvendosën në internet në vitin 2020 për shkak të pandemisë.

Në fillim të qershorit 2021 qyteti bregdetar shqiptar i Shëngjinit hapi dyert për vendasit dhe vizitorët ndërkombëtarë për Festivalin Unum, eventi i parë i madh i mbajtur në rajon që nga marsi i vitit 2020, kur filloi karantina për COVID-19. Festivali pati 50 akte muzikore ndërkombëtare dhe vendase gjatë pesë ditëve të tij.

Vizitorët kishin pritur për një vit të tërë, për të qenë “një me katër elementët e natyrës që karakterizojnë konceptin e festivalit – rërë, pisha, det dhe male”, thanë organizatorët, që do të thotë pa masa kufizuese të lidhura me COVID -19.

Kjo verë do të mbahet mend gjatë në rajon si një rinisje për jetën normale, duke përfshirë shumicën e festivaleve të saj ndërkombëtare të verës.

Megjithatë, në varësi të masave të secilit vend, pjesëmarrja në disa festivale në rajon do të kërkojë ende një test negativ për COVID-19 ose një provë vaksinimi. Për shembull, Mali i Zi do ta mbajë Festivalin Sea Dance nën masa të rrepta, që do të thotë se për të marrë pjesë në të do të duhet të pajiseni me një provë vaksinimi ose një test negativ PCR.

Festivale të tjera, të tilla si Festivali Sunland në Bullgari, Defected Croatia dhe Ohrid Summer Fest në Maqedoninë e Veriut, nuk kanë kërkesa të tilla për të ndaluar përhapjen e COVID-19.

Ndërkohë, disa festivale filmi, si Anibar dhe Dokufest në Kosovë, dhe Festivali i Filmit në Stamboll në Turqi, janë rikthyer, por janë zhvendosur pjesërisht në internet.

E njëjta gjë vlen për festivalet verore të Serbisë, përfshirë një nga festivalet më të mëdhenj në rajon, EXIT, organizatorët e të cilit kanë njoftuar se “të gjitha masat e përshkruara do të prezantohen në detaje më afër festivalit dhe do të jenë në dispozicion në seksionin ‘Informacione mbi COVID1-9’ në faqen zyrtare të Festivalit EXIT”.

Në disa evente nuk ka kufizime

Edicioni Dokufest në Prizren, Kosovë, 2019. Foto arkiv e Dokufest/Bruno Tenschert.

Disa festivale të njohura ndërkombëtarisht në rajon do të zhvillohen pa ndonjë kufizim të lidhur me COVID-19.

Në bregdetin e Detit të Zi në Bullgari do të mbahen disa evente të ndryshme. Midis 29-31 korrikut do të mbahet Festivali Sunland ku do të marrin pjesë artistë elektronikë lokalë dhe rajonalë dhe do të ketë muzikë pop, rrok dhe hip hop.

Festivali i tetë Radar Beyond, në Galerinë e Arteve të Qytetit në Varna, i cili fokusohet në artin bashkëkohor dhe muzikën eksperimentale, do të vazhdojë nga data 6 deri më 8 gusht.

Rreth të njëjtës kohë në bregdetin e Detit të Zi, dixhej Laylla Dane do të organizojë edicionin e ri të festivalit Wake Up Stran Jah, duke mbledhur në një vend shumicën e të mëdhenj elektronikë.

Disa festivale të njohura do të mbahen gjithashtu në bregdetin kroat. Defected Croatia, një festival i muzikës house, do të mbahet në Tisno nga 5-10 gusht.

Plazhi i njohur Zrce, në ishullin Pag, do të presë festivalin e 11-të vjetor të muzikës elektronike, Hideout Festival, në shtator, pas një viti pushimi, “duke premtuar të kthehet edhe më i mirë”.

Në Maqedoninë e Veriut, padyshim ngjarja më e madhe kulturore këtë verë do të jetë edicioni i 56-të i eventit të muzikës klasike, Ohrid Summer Festival, që do të mbahet nga 12 korriku deri më 20 gusht. Organizatorët thonë se nuk do të ketë kufizime për COVID-19 as në skenat e hapura dhe as në ato të mbyllura.

Festivali më prestigjioz i filmit në Turqi, Antalya Golden Orange Film Festival, gjithashtu do të festojë 58-vjetorin e tij këtë vit në fillim të tetorit, gjithashtu pa masa kufizuese për të frenuar përhapjen e COVID-19.

Kthim i pjesshëm për të tjerë

Foto nga një edicion i mëparshëm i Festivalit Exit të Serbisë.

Pavarësisht optimizmit në rritje për suksesin e fushatave të vaksinimit në rajon, disa organizatorë festivalesh po përpiqen të mos rrezikojnë duke i rikthyer festivalet, por vetëm pjesërisht.

Festivali ndërkombëtar i filmit në Kosovë, DokuFest, i mbajtur në Prizren, dhe festivali ndërkombëtar i animacionit, Anibar, i mbajtur në Pejë, do të mbahen pjesërisht në internet.

Arba Hatashi, koordinatore e programit në Anibar, i cili do të mbahet në datat 23-30 korrik, i tha BIRN se filmat do të shfaqen në tre kinema të hapura dhe dy kinema të mbyllura në Pejë, si dhe në platformën digjitale të festivalit.

Dokufest, i cili do të jetë në datat 6-14 Gusht, “do të mbahet si një festival hibrid me disa evente fizike dhe një pjesë të vogël në internet”, tha për BIRN Eroll Billibani, kreu i Dokulab, departamenti arsimor i Dokufest.

Pjesëmarrësit do të humbasin gjithashtu koncertet e zakonshme muzikore të mbajtura në faza të ndryshme nëpër Prizren, të ashtuquajturat Dokunights. Këto “do të zëvendësohen me shfaqje muzikore”.

Festivali i 40-të i Festivalit të Filmit në Stamboll po organizohet përsëri në internet, me disa filma që shfaqen edhe në kinema, për shkak të masave kufizuese më të buta. Megjithatë, do të zgjasë më shumë se tre muaj, sesa vetëm një javë.

Kërkohen teste negative dhe prova vaksinimi

Foto nga një edicion i mëparshëm i Turtle Fest në Drimadhes, Shqipëri.

Shumica e vendeve në rajon nuk i kanë hequr plotësisht masat e tyre kufizuese kundër COVID-19, duke i lejuar koncertet vetëm nëse ata që marrin pjesë kanë një test negativ PCR ose provë se janë vaksinuar.

Për disa fansa të festivaleve, vera e vitit 2021 sjell lajme të këqija, sepse disa festivale të njohura janë anuluar plotësisht.

Rumania po lejon një numër të pakufizuar personash të vaksinuar të marrin pjesë në festivale. Një festival i madh i muzikës elektronike që rikthehet këtë vit në Rumani, UNTOLD, i cili u shty për rreth një muaj, tani do të zhvillohet më 9-12 Shtator. I mbajtur në qytetin Cluj, UNTOLD tërhoqi mbi 375,000 pjesëmarrës në edicionin e tij të fundit në 2019.

Organizatorët e një festivali tjetër të madh rumun, Neversea, të mbajtur në portin Kostana, po lejojnë përdorimin e biletave të blera për 2020 dhe 2021 për edicionet e ardhshme. Eventi është shtyrë për të dytin vit radhazi. Organizatorët vendosën kundër zhvendosjes së festivalit në vjeshtë, duke thënë se kjo do të “kompromentonte” natyrën e festivalit.

Ndërkohë Stambolli në Turqi do të presë Festivalin e 28-të të Xhazit, midis 1-2 shtatorit në hapësira të hapura si parqe dhe sheshe, me 40 koncerte të ndryshme.

Mali i Zi ka disa nga masat më të rrepta shëndetësore për momentin. Tubimet publike lejohen vetëm deri në 100 persona, ndërsa maskat mbrojtëse janë të detyrueshme në ambiente të brendshme dhe prova e vaksinimit ose testi negativ i PCR është gjithashtu i detyrueshëm, njoftoi Ministria e Shëndetësisë në fund të majit.

Si rezultat, në vend do të mbahet vetëm një festival ndërkombëtar muzike në Budva. Organizatorët kanë riplanifikuar Festivalin Sea Dance për datat 27-29 gusht, por pa dhënë ndonjë listë të interpretuesve të mundshëm. Biletat, akomodimi dhe transporti i shitur tashmë për edicionin e vitit të kaluar do të jenë të vlefshme për këtë vit, njoftuan organizatorët.

Lake Fest, një festival rajonal muzike në qytetin Niksic është lënë në pritje.

Në mënyrë të ngjashme, që nga mesi i qershorit, Serbia ka protokolle për festivalet e saj kryesore, të organizuara nga grupi United Festivals of Serbia, duke lejuar hyrjen vetëm për ata njerëz që janë të vaksinuar ose posedojnë një test PCR negativ ose një test të shpejtë antigjeni.

Arsenal Fest u zhvillua në qytetin Kragujevac nga 24-26 qershor dhe, sipas mediave lokale, në të morën pjesë mbi 23,000 vizitorë. Anëtarja e ekipit organizues Maja Cvetkoviç tha se rreth 6,000 pjesëmarrës bënë testin e shpejt për COVID-19, njoftoi agjencia e lajmeve Fonet.

Festivali i famshëm EXIT i Serbisë do të mbahet nga 8-11 korrik, si zakonisht, në Novi Sad, ndërsa pritet të lejohen edhe tre festivale të tjerë.

Por festivali vjetor kroat i muzikës rrok dhe indie, INmusic, u anulua përsëri dhe tjetri do të mbahet më 20-22 qershor 2022. “Lufta kundër koronavirusit po rezulton më shumë sfiduese dhe këmbëngulëse sesa pritej”, thanë organizatorët.

Ultra Europe, një festival i muzikës elektronike në natyrë që zhvillohet çdo vit në qytetin bregdetar kroat të Splitit, gjithashtu mori të njëjtin vendim, duke e planifikuar festivalin për datat 8-10 korrik 2022.

Shqipëria do të organizojë gjithashtu Turtle Fest, kushtuar muzikës elektronike, në fund të korrikut, në plazhin e Drimadhesit. Megjithatë, nuk ka asnjë informacion në lidhje me masat kufizuese që mund të vihen në zbatim në festival./ reporter.al