Fillojnë punimet për restaurimin e monumentit të familjes Koci në Prizren

Qendra Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Prizren ka filluar punimet për restaurimin e shtëpisë së familjes Koci. Kjo shtëpi gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit.

QRTK e Prizrenit përmes një njoftimi për media, ka bërë të ditur se pas vlerësimeve të bëra nga zyrtarë të Qendrës Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, kanë filluar të zbatohen punimet për ndërhyrje restauruese – konservuese në shtëpinë e familjes Koci.

Sipas komunikatës, kjo ndërtesë gjendet brenda Qendrës Historike të Prizrenit, respektivisht në lagjen e Potokmahalles të qytetit të Prizrenit.

“Bazuar në stilin arkitektonik, teknikës dhe materialit të ndërtimit, monumenti në fjalë konsiderohet të jetë ndërtuar në shekullin XIX, dhe i përket shtëpive me zgjidhje të veçantë e ndërtuar në kat, e cila ka shërbyer dhe akoma shërben për banim. Formësimi hapësinor, proporcionet, organizimi i brendshëm, elementet e enterierit, trajtimi i fasadës me elemente dhe daljet në formë erkeri paraqesin tiparet kryesore artistike të kësaj ndërtese. Në kuadër të parcelës së familjes Koci gjendet shtëpia, oborri dhe nyja sanitare”, thuhet në njoftimin e QRTK-së të Prizrenit.

Restaurimi dhe konservimi i kësja ndërtese bëhet në kuadër të zbatimit të programit masat preventive- intervenimet emergjente, të financuara nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.