Festivali "Vihuela Guitar Fest" hapet sonte me koncertin e kitaristit nga Franca, Mariano Martin

Edicioni i 12-të i Festivalit Ndërkombëtar të Kitarës, “Vihuela Guitar Fest”, hapet sot, më 4 nëntor 2024, në ora 20:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës në Prishtinë.

Ky edicion i “Vihuela Guitar Fest” hapet me koncertin e kitaristit të muzikës flamengo, Mariano Martin nga Franca.

Naser Dula, menaxher dhe koordinator i festivalit, tha për KALLXO.com se në këtë edicion të festivalit “Vihuela Guitar Fest” do të ketë 3 koncerte me kitaristë të njohur shqiptarë dhe të huaj.

“Në këtë edicion do të ketë 3 koncerte. Festivali do të zgjas 4 ditë ku në kuadër të tij do të ketë edhe masterclass (punëtori) për kitarë me prof. Mariano Martin. Të gjitha koncertet do të mbahen te Bibloteka Kombëtare e Kosovës duke filluar nga ora 20:00”- tha Dula.

Në natën e dytë të festivalit, më 5 nëntor 2024, mbahet koncerti duo në kitare me dy vëllezërit Elvis dhe Gjulian Bytyqi nga Prizreni.

Kurse, koncerti  i tretë i festivalit me kitaristët e rinj- studentë nga Fakulteti i Arteve të Kosovës, fakulteti i Tiranës dhe ai i Shkupit, mbahet më 7 nëntor 2024, në Bibliotekën Kombëtare duke filluar nga ora 20:00.

Edicioni i 12-të i festivalit “Vihuela Guitar Fest” është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe “Teb Bank” dhe mbyllet më 7 nëntor 2024.