Festivali ‘Rock United Fest’ nis sot në Prishtinë

Me moton “Një për të gjithë, të gjithë për Rock” nis sot në Prishtinë Festivali “Rock United Fest”, organizuar nga Rockuzinë.

Nata e parë e këtij festivali nis në ora 18:00 në amfiteatrin e pishinës së Gërmisë dhe gjatë 2 mbrëmjeve (sot dhe nesër) të këtij festivali do të marrin pjesë 12 grupe nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, duke u zgjeruar me bende ndërkombëtare në vitet në vijim.

Rock United është projekt që bashkon grupet e muzikës rock dhe fansat nën moton “Një për të gjithë, të gjithë për Rock”.

Qëllimi kryesor i këtij festivali është që të vazhdojë tradita e rockut, e cila në Kosovë ka fillet tek vitet e gjashtëdhjeta, dhe të promovohet kjo kulturë te të rinjtë, me pjesëmarrje më të madhe të bendeve të reja, duke përfshirë të gjitha komunitetet në Kosovë.

Në natën e parë të festivalit, (6 shator 2019) performojnë grupet: “The Mole Pack”, “ZWada”, “Vini e Veni”, “Gillespie”, “Purgatory”.

Në mbyllje të natës së parë sipas organizatorëve të festivalit, do të prezantohet grupi legjendar kosovar Grupi 403, për të cilët kjo natë do të jetë kulminacioni i karrierës së tyre.

Kurse në natën e dytë, më 7 shator 2019, do të prezantohen grupet: “Proximity Mine”, “Jutbina”, “Këpurdhat”, “Trampolinë”, “PeterPan Quartet”.

Koncerti i natës së dytë do të përmbyllet me grupi i njohur “Elita 5″.