Pamje nga Festivali i Cannes. Foto: Facebook/ Festival de Cannes

Festivali i Kanës hapet me thirrje për paqe e kundër luftës

Me thirrjet për paqe e kundër luftës është hapur të martën edicioni i 75 i Festivali të Filmit në Kanë (Cannes) të Francës.

Një fjalim surprizë në ceremoninë hapjes së festivalit është mbajtur dhe nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky, përmes një video-telefonate, njoftojnë mediat franceze. Presidenti Zelensky, një nga komedianët më të njohur uraninas, nga Kievi u ka bërë thirrje, filmbërësve që të ngrenë zërin e tyre kundër pushtimit të vendit të tij nga Rusia.

Festivali i Kanës është një prej festivaleve më të mëdha dhe më të rëndësishme jo vetëm në Evropë, dhe si i tillë mbledhë çdo vit yjet e kinemasë dhe filmat më të mirë nga gjithë bota.

Edhe këtë viti nuk do të mungojë prezenca e yjeve të kinemasë botërore, si: Forest Whitaker, Julianne Moore, Noomi Rapace, etj.

Këtë vit, në Kanë nuk është asnjë film nga Kosova. Viti që shkoi dy filma nga Kosova u shfaqen në Kanë.

Filmi “Pa vend” i Saimir Karahodës, që garoi për “Palmën e Artë” në kategorinë e filmit të shkurtër, dhe filmi “Luaneshat e Kodrës” nga Luana Bajrami që u shfaq në kuadër të programit “Directors’ Fortnight” të këtij festivali.

Por, në Kanë do të jetë aktori shqiptar Alban Uka i cili interpreton në filmin, “Tori and Lokita” (Tori and Lokita).

Regjisori Mahir Musliu, tha në një prononcim për KALLXO.com festivali i Kanës është kryengjarja kinematografike në Evropë. Sipas tij, mos prezenca e filmave nga Kosova është një hendikep i rëndë për njerëzit që merren me filmin.

“Konkurrimi në këtë festival prestigjioz bëhet me vepra serioze të cilat në vete përmbajnë vlera të larta artistike. Ne i takojmë Evropës dhe vlerat e kulturës filmike janë qenësore për memorien dhe arkivi tonë. Uroj që viteve tjera ky festival mos të na gjejë pa prezantimin e vlerave tona filmike”, thotë Musliu.

Festivali i Kanës do të mbahet deri më 28 maj 2022.

Filmi “Titane” i regjisores franceze Julia Ducournau ishte fitues i “Palmës së Artë”, çmimit kryesor të festivalit të filmit në Kanë, për viti e kaluar.