Burimi i Fotos - FCB - Fatos Berisha

Fatos Berisha jep dorëheqje nga posti i drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar

Ende pa marrë zyrtarisht detyrën e drejtorit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Fatos Berisha ka dhënë dorëheqje nga ky post.

Regjisori Berisha ishte zgjedhur drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës më 21 qershor 2019 nga Këshilli Drejtues i TKK-së, në bazë të konkursit të datës 22 maj 2019.

Dorëheqjen e tij Berisha do ta bëjë zyrtare sot gjatë ditës, ndërsa nuk dihen arsyet e dorëheqjes së së tij nga posti i drejtorit artistik.

Lajmi për dorëheqjen e Berishës nga posti i drejtorit (udhëheqësit) të TKK-së, është konfirmuar edhe nga kryetari i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar, Fisnik Ademi.

Ademi ka thënë se gjatë ditës së sotme do të dihen edhe arsyet e dorëheqjes, pasi Berisha pritet që zyrtarisht të ofrojë dorëheqjen e tij në Këshillin Drejtues të TKK-së.

“Berisha ka dhënë dorëheqje, arsyet sipas tij janë të natyrës profesionale, po për më shumë do të dimë pasi të marrim edhe letrën për dorëheqjen e tij”, ka thënë Ademi.

Kallxo.com ka provuar të marrë një prononcim edhe nga Berisha, por ai ka qenë i paqasshëm deri në publikimin e lajmit.

Megjithatë Kallxo.com ka siguruar emailin- letrën që Berisha një ditë ma parë i është drejtuar anëtarëve të KD-së përmes së cilës i ka paralajmëruar për dorëheqjen e tij.

KD i TKK-së pritet të mblidhet të enjten e ardhshme për të diskutuar për situatën pas dorëheqjes së Berishës dhe emërimin e një ushtruesi të detyrës së drejtorit Artistik të TKK-së.

Regjisori Fatos Berisha ishte zgjedhur sot drejtor artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës nga Këshilli Drejtues i TKK-së, në bazë të konkursit të datës 22 maj 2019.

Kallxo.com ka raportuar për paqartësitë (në preambulën e konkursit) që kishin përcjellë shpalljen e konkursit për zgjedhjen e udhëheqësit artistik të TKK-së.

Pasi në konkursin e MKRS të 22 maj 2019, në vend të udhëheqësit artistik, ishte kërkuar drejtor artistik.

Sipas Ligjit për Teatrot të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 24.05.2012, Teatri Kombëtar nuk ka pozitë të drejtorit artistik, por të udhëheqësit artistik.

Përveç kësaj, konkursi për drejtor Artistik në TKK-së i datës 22. 05. 2019 ishte hapur duke u bazuar edhe në bazë të Rregullores nr.5/11, e cila është shfuqizuar nga ana e qeverisë së Kosovës (2018), pas nënshkrimit të rregullores nr. 15/18.