Fakulteti i Arteve themelon festivalin online të filmave studentorë 

Nga 5 deri më 10 maj 2020, Dega e Regjisë së Filmit të Fakultetit të Arteve të UP-së, “Hasan Prishtinë” në Prishtinë planifikon të organizojë edicionin  e 1-rë të “Festivalit online studentor”. 

Programi i festivalit do të publikohet një ditë para fillimit të festivalit.

Filmat e këtij festivali do të shfaqjen në kanalin zyrtarë të UP-së, dhe do të jenë filma të krijuar nga studentët e Degës së regjisë së filmit të FA të UP-së. 

Drejtori i këtij festivali, regjisori Jeton Ahmetaj, profesor i regjisë së filmit në FA, ka thënë për KALLXO.com se festivali do të nisë më 5 maj në mënyrë simbolike edhe me lehtësimin e masave nga coronavirusi. 

Sipas tij, festivali zgjatë pesë ditë me prezantim të filmave të studentëve duke filluar me shfaqjen e filmave të studentëve të vitit të parë deri tek ata të masterit. 

“Festivali ka karakter garues. Qëllimi është të themelojmë një festival tonin studentor që të stimulojmë dhe afirmojmë  punët e mundimshme krijuese të studenteve tanë. Në juri për vlerësimin e filmave do të jenë profesor nga katedra, por edhe artistë dhe profesorë me na që kanë dalë në pension”, ka thënë drejtori Ahmetja. 

Ai ka thënë do të ndahen disa çmime dhe secili çmim do të ketë emrin e një prej personaliteteve të njohura të filmit kosovar. 

Festivali do të jetë tradicional dhe përveç shfaqjes së filave do të ketë edhe diskutime dhe aktivitete tjera për dhe rreth filmit. 

Studentë do të kenë kohë që deri nesër të dërgojnë filmat e tyre për të qenë pjesë e edicionit të parë të “Festivalit online studentor” të studentëve të Fakultetit të Arteve të UP-së.