‘Exil'-i i Visar Morinës triumfon në Sarajevë, merr çmimin ‘Zemra e Sarajevës’ 

Filmi ‘Exil’ i regjisorit Visar Morina është shpallur filmi më i mirë në edicionin e sivjetëm të filmit në Sarajevë.

Filmi “Exil” (Exile) ka marrë çmimin kryesorë të këtij festivali, çmimin “Zemra e Sarajevës”.

“Exil triumfoi në Sarajevë duke e fituar çmimin kryesorë të festivalit ‘Zemrën e Sarajevës’ në një ceremoni të organizuar online për shkak të situatës së krijuar nga Covid-19.

Këtë vit juria e programit kryesor garues përbëhej nga regjisori frances Michel Hazanavicius, drejtori artistik i Festivalit të Berlinit Carlo Chatrian, aktorja kroate Jadranka Dokic, regjisori serb Srdan Golubovic dhe nga ekspertja e industrisë nga Meksika Andrea Stavenhagen.

Përmes një video regjisori Morina është shprehur mjaft i lumtur për çmimin.

“Jam shumë i gëzuar me çmimin, faleminderit! E kisha një vit shumë të ngarkuar në realizimin e këtij filmi dhe nganjëherë ndihesha më i humbur se karakteri i filmit, e ky çmim më ndihmon shumë. Faleminderit jurisë dhe festivalit’, ka thënë ai.

Ndërkaq ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi ka thënë pas lajmi për triumfin e filmit “Exil”, se MKRS do të përkrahë gjithmonë iniciativa dhe projekte filmike që kanë kualitet të nivelit evropian dhe me anë të të cilave prezantohet shtetin dhe kultura jonë në arenën ndërkombëtare.

“Uroj nga zemra regjisorin kosovar Visar Morina si dhe ekipin realizues të filmit për këtë arritje të rëndësishme për kulturën e Kosovës në përgjithësi. Suksesi i filmit shënon dhe dëshmon cilësinë dhe avancimin që ka arritur kinematografia e Kosovës ”, ka thënë ministrja Dumoshi.

Filmi ‘Exil” gjatë ditës së sotme është shpërblyer edhe me çmimin e magazinës evropiane “Cineuropa” për regjinë më të mire.

Filmi, rrëfen tregimin e Xhaferit, një inxhinier i kimisë me origjinë nga Kosova, i cili ndjehet i diskriminuar dhe i ngacmuar në vendin e punës, gjë që e zhytë atë në krizë të identitetit.

NË film luajnë: Sandra Hüller, Mišel Matieviq, Flonja Kodheli, Getuart Hajrizaj, Astrit Kabashi, Valentina Dubovci, Ameli Kabashi etj.

‘Exil’ është bashkëprodhim në mes të Komplizen Film Gjermani, Ikonë Studio Kosovë dhe Frakas nga Belgjika i financuar nga Ministri për Kulturë dhe Media, Film- und Medienstiftung NRË, German Federal Film Fund, Belgium Film Tax Shelter, Medienboard Berlin Brandenburg, Qendra Kinematografike e Kosovës, Eurimages, dhe German Federal Film Board.

Ky edicion i Festivalit të Sarajevës kishte një presence të madhe të kinematografisë se Kosovës ku përveç pjesëmarrjes së filmit ‘Exil’ ishin edhe ‘Galaktika e Andromedës’, ‘Zana’ dhe ‘Vera Andrron Detin’.