‘Eurodrama’ hap konkurse për dramë shqipe për 2019-2020

Komiteti Shqiptar i Eurodramës ka hapur thirrje për përzgjedhjen e tri dramave më të mira shqipe për vitin 2019-2020.

Përmes një njoftimi për media, Qendra Multimedia njofton se për sezonin 2019/ 20, komiteti shqiptar është i ngarkuar që të përzgjedhë drama nga autorët shqiptar, të shkruara në këto 5 vitet e fundit.

Sipas njoftimit, dramat, jo domosdoshmërisht duhet të kenë qenë të inskenuara apo botuara më përpara, përjashtohen dramat të cilat kanë qenë pjesë e thirrjeve të mëparshme të Eurodram-ës.

“Propozimet duhet të përfshijnë dramën e plotë, një përmbledhje të shkurtër të dramës (synopsis), një biografi të shkurt të dramaturgut/es, një faqe faktesh (data dhe vendi i shkrimit, numri i karaktereve, referencat për ndonjë shpërblim dhe produksionet eventuale të mëparshme) si dhe informata shtesë që mund të jenë të rëndësishme. Përzgjedhjet e tri dramava më të mira nuk nënkuptojnë ndonjë shpërblim me pagesë”, thuhet në njoftimin e Multimedias.

Afati i fundit për dorëzimin e dramave është 30 dhjetor 2019. Dramat mund të dorëzohen nga autorët, botuesit, agjentët etj., në e-mail adresë: [email protected] me titullin: Eurodram 2019.

“Eurodram” është rrjet evropian i përkthimit teatror, i cili përdorë gjuhët evropiane, mediterane dhe ato të Azisë Qendrore. Objektiva kryesore e këtij rrjeti është bërja publike e punës e dramaturgëve, që në masë të madhe mbetet e pa-botuar, duke i kushtuar vëmendje posaçërisht diversitetit gjuhësor.