Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

EtnoFest, në fokus ruajtja e tokës dhe vlerave kulturore - VIDEO

Përmes tingujve të instrumenteve muzikore dhe vargjeve të kënduara nga Etno-ansambli “Çiftelia”, po tentohet të ruhet dhe kultivohet trashëgimia kulturore shqiptare.

Ky ansambël ka udhëtuar nga Lezha për në Kukaj, për të interpretuar muzikën tradicionale shqiptare në natën e dytë të Festivalit të Arteve dhe Kulturës Tradicionale “EtnoFest”.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Para këtij koncerti, në mes të ekspozitave me motive kombëtare të Jakup Ferrit dhe Jasmir Morinës, u mbajt debati i cili ka për qëllim ruajtjen e ujit dhe tokës nga degradimi.

Në tavolinën e debatit ishin ulur ekspertë të fushave të ndryshme si agronomë, shkrimtarë, etnologë të cilët diskutuan për degradimin që po i bëhet tokës dekadave të fundit.

“Shqetësimi i njeriut asnjëherë nuk ka qenë aq i theksuar dhe më i prononcuar rreth fatit të vet. Nuk janë luftërat më, nuk janë pandemitë më, por është mënyra se si po e shkatërrojmë ne planetin”, tha ai.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Sipas kuptimit tim personal, që mund të mos jetë i juaji edhe mos qoftë i juaji, se aq më shumë mendime që kemi aq më shqiptarë jemi sipas Fishtës, se nuk na e prish unitetin. Ne gjithmonë kemi diçka me ruajt, trashëgu e me çu përpara. Mbas tokës, zjarrit, ajrit, ujit e shpirtit kemi edhe një vlerë të madhe që e kemi djeg ka ditë, dashninë”, shtoi ai.

Ndërkohë, për rritjen e eksploatimit të tokës, faji iu la edhe humbjes së relacionit shpirtëror tokë-njeri.

Në të kaluarën ka pas një relacion tjetër. Relacioni me tokën dhe me ujin kanë qenë më shpirtërore. Normal kanë qenë edhe materiale, fizike, ekonomike se janë burime jetese por edhe shpirtërore. Ka pas një dashuri, një respekt, adhurim e devocion në lidhje me tokën” tha Krasniqi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ndërsa tash, sipas tij, për shkak të idesë së fitimit, përfitimit, kapitalit, shtimit të pasurisë, shfrytëzimit e eksploatimit ka humb ana shpirtërore dhe toka është shndërruar në objekt ose resurs ekonomik që duhet të shfrytëzohet sa më shumë.

Në një skenë të hapur të shtëpisë së vjetër në Kukaj, në mes të emocioneve dhe koncentrimit të publikut, u dha shfaqja “N’Dry” me regji të Iliriana Arifit.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Është shumë normale edhe natyrshme që neve regjisorëve, po flas për vete, mos me u gjet fjalët në moment të caktuar. Është adrenalinë, çasti i duartrokitjes e merr gjithë mundin edhe kohën që kemi bërë deri tek premiera. Sa isha lartë te teknika, e kam pas ndjesinë qe publiku ka ndjerë e ka perceptuar. Për një kohë të shkurtër kemi arritur me pru një shfaqje në Kukaj, se është problem me pru shfaqje jashtë teatrit për shkak të kushteve të ndryshme, diellit, dritës dhe muzikës”, tha Arifi.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nën dritën e hënën e plotë, kjo natë, vazhdoi me atmosferën që solli grupi muzikor nga Shkupi “Blla, Blla, Blla”.

Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Të pozicionuar në oborrin e Teatrit të EtnoFestit, Rock-grupi i hitit “Babyaro”, interpretuan këngët më të njohura të tyre para një audience artdashëse.