“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.

“EtnoFest 2024”, teatri në funksion të zbërthimit të natyrave njerëzore

Në ditën e dytë të festivalit (EtnoFest 2024) nisi Laboratori i Grotovskit me regjisorin italian Mario Biagini dhe asistimin e Ilirjana Arifit, regjisore. Pjesëmarrës në laborator ishin aktore e aktorë të rinj ndër ta doajeni i aktrimit kosovar e shqiptar, Bislim Muçaj.

Regjisori Mario me përpikëri e argumentim të secilës kërkesë për veprim të caktuar skenik iu jepte mundësi aktorëve për një përvojë të re të krijimit të personazhit përmes një procesi ndryshe të të bërit shfaqje ku më e rëndësishme është gjendja e personazhit sesa interpretimit (lexo aktrimit) të asaj gjendjeje.

Për të kap gjendjen u  jepte indikacione hapësirë që secili të eksploronte mundësitë e tij për shprehje brenda personazhit duke nxjerr në pah gjendjen e jo ta “aktrojnë” atë.

Aktorët që janë pjesë e laboratorit në fund do nxjerrin një shfaqje si produkt i festivalit nëse u përballojnë “torturave” të laboratorit të Grotovskit përkatësisht të regjisorit italian Mario Biaginit.

Festivali vazhdon…

Gjatë gjithë ditës ndihet atmosfera e festivalit. Debate, komunikime vizita ekspozitave dhe muzeut etnografik. Kontakte e komunikime me vizitorët. Vullnetarët e festivalit mirëmbajnë ambientet dhe shërbejnë.

Teatër

Në mbrëmje u shfaq “Dashuritë e Xhorxh Vashingtonit” një tekst intrigues i autorit kroat Miro Gavran, regjisor: Andi Begolli kooproduksion i teatrit “Kujtim Spahivogëli” dhe Qendrës për zhvillim social, mjedisor, ekonomik dhe kulturor “Smek”, Tiranë.

Në rolin kryesor u paraqit aktorja e njohur Luiza Xhuvani. Autori Miro Gavran e shtron temën si një të vërtetë të zemrës e jo historisë pavarësisht se Washingtoni ishte personalitet historik. Shfaqja nis me prezantimin e Muzeut Xhorxh Washington nga një qift …fiken dritat dhe ngjarja nisë…

Marrëdhënia e dy grave me një njeri të famshëm, presidentin e parë të Amerikës, në realacionin kofliktuoz bashkëshorte – dashnore.

Si mund të ndihet bashkëshortja kur mëson se ai ledhaton dikë tjetër… kur  dashnorja del se është poseduesja e zemrës, derisa bashkëshortja lufton me nënqeshjen e atyre që e dinë se ajo “ndanë” bashkëshortin me dashnoren, por shtiren sikur nuk e dinë.

Fundja të gjithë flasin për Washingtonin si president e askush për Xhorxhin si njeri…

Si mund të jesh dashnorja e dikujt pa e dashur… pyet bashkëshortja e Washingtonit dashnoren e pretenduar të Xhorxhit, të cilën e fton për ta kuptuar të vërtetën pas vdekjes së presidentit. Duket se të dyja e kanë dashur apo edhe i ka dashur por rrallë qëllon që njeriu të merr gjithçka nga jeta…

Kthesat e vlerës së karakterit ishin ndërtuar me dramaticitet dhe kuptimet e dashurisë e tradhtisë viheshin në dyshim për të nxjerr  natyra njerëzore që ndryshe duken e tjetër janë.

Në fakt drama “Dashuritë e presidentit” ka për temë të fshehtat e dashurisë së gruas. Kthesa të shumta që thyejnë karakteret apo më saktë i testojnë ato për të nxjerr mesazhin se dashuria mbetet ajo që fjala nuk e  thotë dot.

Interpretimi i tekstit mbetet në nivel letrar

Aktorja Luiza Xhuvani(Marta) e kishte tipizuar mirë personazhin e gruas së presidentit si figurë, që jetonte midis protokolit  dhe intimitetit dhe në këtë dualitet ajo mbetet tek protokoli derisa dashnorja vajzë e paguar të luajë dashnoren ia njeh dhe ia provon Washingtonit vlerat njerëzore, kujdesin, durimin dhe dashurinë andaj kur fiket qiriu i jetës  ai megjithatë e thotë emrin e dashnores që nuk e pati. Aktorja  Kristjana Dodaj, e cila interpretoi rolin e dashnores sado korrekte nuk e kishte thurur karakterin në nivelin e shkruar. Përthyerjet emocionale gjatë shpalosjes së  marrëdhënies me presidentin nganjëherë i tregonte më tepër se që shihej si gjendje e tendosur ndjenjash andaj drama e brendshme mbeti e ndrydhur.

Dukej se regjisura i kishte bërë një lexim linear (letrar) tekstit pa u futur në nënshtresat kuptimore për ta zbërthyer atë me gjuhën e teatrit duke i përkthyer veprimet foljore në mizanskenë fizik që do të aktivizonte më shumë shprehje trupi të cilat bazuar në temën ishin të dhëna në përmbajtjen e dialogëve të brendshëm.

Dukej letërsia e dominonte shfaqjen pa ndonjë gërvishtje me gjuhën e teatrit të labirintheve të shpirtit të gruas kur ballafaqohet me veten në raportin dashuri – urrejtje të cilën  dramaturgu Gavran e trajton në rrafshin dramaturgjik.

Tema e shfaqjes komunikoi me spektatorin e “EtnoFestit” dhe shfaqja u duartrokit.

Vlen të akcentohet shprehja koreografike e Robert Nuhës.  Në shfaqje luajtën edhe Kevin Rrapaj e Greta Bacit.

“Etno neja” me “Qunat e Tironës”

“Etno nejën” e bënë të hareshme “Qunat Toranës” me këngë nga Shqipëria e mesme. U këndua dhe vallëzua deri në orët e vona.

Mërgimtarët dhe pjesëmarrësit tjerë përveç programit të ditës së dytë shijuan ushqime tradicionale që gatuhen në “EtnoFest” dhe vizituan ekspozitat e hapura në ambientet e “EtnoFestit” duke vjel përshtypje të mira nga festivali.

“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.

 

“EtnoFest 2024”. Foto: EtnoFest.