'Etno Fest 2022'. Foto: KAXLLO.com.

"Etno Fest" kujton Qamilin e Vogël, 30 vjet pas vdekjes së tij

Pasuria etnomuzikore e etnologjike mori vëmendjen e publikut në natën e tretë të Festivalit “Etno Fest”.

Një aktivitet i veçantë i është kushtuar krijimtarisë muzikore të Qamil Muhaxhirit, i njohur si “Qamili i Vogël”, 30 vjet pas vdekjes së tij.

I mbushur me eksponate, piktura e ornamente tjera etnografike, kompleksi ku po mbahet Festivali “Etno Fest” është shndërruar në një muze me rëndësi për prezantimin dhe vazhdimësinë e kulturës dhe artit etnologjik.

Të ekspozuara në hyrje të kompleksit, eksponatet e krijuesit popullor Hasan Ndreca nuk mund t’i iknin vëmendjes së vizitorëve. Punimet e Ndrecës u ngjanin atyre që dikur përdornin paraardhësit.

Ngadalë e qetë, Ndreca tregon se çfarë përfaqësojnë krijimet e tij.

“Lahuta, çiftelia, veku është komplet, me shpatë e tjera, bunari (pusi) është ilir, dardanët e kanë pasur vetëm me rrotulla me sjellë (rrotullu), lahuta është tipike ilire, e kam shkruar një herë me brisk e pastaj e kam sosë me tel, djepi, pjata, briri i kripës, po ashtu është prej ilirëve, më parë kripa vendosej në fleta të kungullit por s’ka qëndruar gjatë” – tha ai.

Në një nga ambientet e “Etno Fest”-it është kujtuar Qamili i Vogël, një nga kolosët e muzikës popullore qytetare shqipe.

Studiuesi i muzikologjisë, Krenar Doli, prezantoi kumtesën për kontributin e Qamilit të Vogël në përpilimi e 11 blejve me këngë të ndryshme tradicionale shqipe.

“Figura e Qamilit të vogël shikuar në shumë aspekte pa dyshim që mbetet një nga figurat qendrore në aspektin e përhapjes, kultivimit, pasurimit dhe ngritjes në nivel më të lartë të vetëdijes për muzikën tradicionale shqiptare në përgjithësi” – theksoi ai.

Ndërkaq, Shqipe Muhaxhiri, vajza e Qamilit të Vogël, tha se ndihet e nderuar që po mbahet një aktivitet për të kujtuar kontributin e babait të saj, 30 vjet pas vdekjes.

“Ndihem krenare se mbas 30 vjetëve të mbahet një manifestim i tillë ku do të flitet për veprat e babës tim. Është një krenari e pashpjegueshme, do të thotë jam krenare, jam krenare edhe me atë që ende këndohen këngët e tij, ende ka lënë gjurmë dhe gjeneratat e reja, të cilat, kur tash është koha e rokut e gjërave të tjera rinore ende po i këndojnë. Kjo për ne si familjarë është një privilegj shumë i madh, pra ka lënë gjurmë të cilat besoj se do të zgjasin edhe më tej” – tha ajo.

E kur muzgu nisi të bjerë, në skenë doli ansambli “Shqipet e Drenicës” nga Drenasi.

Koreografi Dilaver Kryeziu tha se përmes një interpretimi brilant, valltarët e këtij ansambli prezantuan një kolorit të pasur të valleve dhe veshjeve tradicionale.

“Sot e patë që përveç janë paraqitur e do të paraqiten ansamble tjera, u paraqit ‘Shqipet e Drenicës’ me një kolorit të vetin autokton, me një larushi vallesh të koreografëve të ndryshëm, por megjithatë shumë të spikatura”- shprehet Kryeziu.

Pas prezantimit të ansamblit nga Drenasi radha i erdhi shfaqjes “Më e forta” të Fadil Hysajt.

Me skenë të improvizuar, aktoret Sheqerije Buçaj dhe Fatlume Bunjaku, përcollën te publiku mesazhe tronditëse për gjendjen që po kalon shoqëria kosovare.

“Shfaqja nuk e kishte skenografinë e vet dhe ne e bëmë një provë teknike, por komplet ka qenë një ‘mise en scène’ e re dhe definitivisht me sonte mund të them publikisht që Grotovski për mua është ‘My favorite acting’, dhe do të vazhdoj të qëndroj në atë sistem, ai thotë për ata që s’ dinë: Gjeni një ambient mos bëni shumë prova ose hiç dhe futuni në personazh, lëreni personazhin me ecë dhe ne kemi vepruar sonte me Fatlumen si personazhe, mund të them se shumica e ‘mise en scène’-ave kanë qenë krejt spontane” – thotë Sheqerije Buçaj.

“Sa herë punoj me Sheqeren jam ndjerë e sigurt dhe kjo është shumë e rëndësishme për një partnere, pasi kur ti je në skenë dhe kur e di se partneri yt nuk të lë në baltë është shumë e rëndësishme. Edhe këtë shfaqje e kemi punuar me shumë dashni, e kemi punuar më shumë përkushtim, një tekst shumë i mirë prej profesorit Fadil, ku në dukje mund të duket tekst i thjesht, por realisht flet shumë dhe vë në pah shumë probleme të shoqërisë sonë”, tha Fatlume Bunjaku.

Nata e tretë u mbyll me muzikën e bendit “Sheki & friends” bashkë me Semira Latifin, i cili argëtoi publikun deri në orët e vona.

‘Etno Fest 2022’. Foto: KALLXO.com.
‘Etno Fest 2022’. Foto: KALLXO.com.
‘Etno Fest 2022’. Foto: KALLXO.com.