Foto: Facebook/ Mentor Zymberaj

‘Ëndrrat e Hamletit’ në Festivalin e monodramës në Rusi

Monodrama e “Ëndrrat e Hamletit”, me regji dhe interpretim të Mentor Zymberajt do të përfaqësojë Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar të Monodramës në Vladimir të Rusisë

Ky festival mbahet nga data 9 deri më 20 prill 2021.

Lajmi për pjesëmarrjen e kësaj shfaqje në Festivalin e Vladmirit në Rusi është bërë i ditur nga regjisori Mentor Zymberaj.

“Pas suksesit të madh në Festivalin Ndërkombëtar ‘Sitfy’ në Egjipt, ku shfaqja ‘Ëndrrat e Hamletit’ nderohet dhe vlerësohet me Çmimin Prestigjioz, ‘Monodrama më e mirë’ e Festivalit (Grand Pri), tani ajo prezantohet duke përfaqësuar Kosovën në Festivalin Ndërkombëtar Teatror në Vladimir”, ka shkruar Zymberaj në Facebook.

Sipas programit monodrama kosovare do të shfaqet më 10 prill 2021.

“’Ëndrrat e Hamletit” është realizim i Shtëpisë Teatrore Filmike AKT & ITI-Qendra në Kosovë, në bashkëpunim të teatrit Dodona dhe Komunës së Prishtinës. Premiera e kësaj shfaqje është dhënë më 31 mars të vitit 2018 në Teatrin ‘’Dodona’’.