Emri i regjisorit në listën e pagave të punëtorëve të Teatrit Kombëtar

Që nga qershori i këtij viti regjisori Agon Myftari nuk është duke kryer detyrën e udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Por, emri i tij vazhdon të figurojë në listën e pagave të punëtorëve të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Kallxo.com ka siguruar një kopje të listës së pagave të punëtoreve (tetor 2019) ku figuron emri i regjisorit Myftari si udhëheqës artistik i TKK-së.

Por, regjisori Agon Myftari në një përgjigje për Kallxo.com ka mohuar se është duke marra pagë nga MKRS, si udhëheqës artistik.

“Jo, nuk marr rrogë nga MKRS si udhëheqës artistik”, ka thënë Myftari për Kallxo.com, pa dhënë sqarime pse emri i tij ndodhet në listën e pagave të punëtorëve të TKK-së.

Ndërkaq, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka thënë për Kallxo.com se kjo ministri sipas procedurës së ndryshimit në paga, ka proceduar me kohë heqjen nga lista e pagave të Agon Myftarit.

“Mirëpo është bërë një lëshim teknik nga ana e MAP, të cilin jemi duke e përmirësuar, pra do të eliminohet pasi që z.Myftari sipas procedurës së paraparë me rregullat e thesarit, do të bëjë kthimin e mjeteve tepricë që i ka pranuar pas afatit. Këto janë gabime që ndodhin por që jemi të obliguar t’i eliminojmë, pra nuk është diçka që ju e keni vërejtur dhe ne jo, prandaj iu siguroj që kjo do të eliminohet. Është e vërtetë që lëshimi ka ndodhur dhe kjo përmirësohet sipas procedurës sepse legjislacioni ka paraparë edhe këso raste dhe rrjedhimisht e ka përcaktuar edhe mënyrën e përmirësimit, mënyrë të cilën jemi duke e zbatuar”, thuhet në përgjigjen e MKRS-së për Kallxo.com.

Por, Ministria e Administratës Publike (MAP), në një përgjigje për Kallxo.com thotë se MAP nuk menaxhon me listën e pagave që nga viti 2015.

“MAP nuk menaxhon me listën e pagave që nga viti 2015. Divizioni për menaxhimin e pagave që është edhe kompetent për pranimin dhe largimin e punëtoreve nga lista është nën kompetencën e Departamentit të Thesarit në MF”, thuhet në përgjigjen e MAP-it për Kallxo.com

Ndërsa, Agim Sopi, drejtor i Përgjithshëm i Teatrit Kombëtar ka thënë për Kallxo.com se ai nuk ka asnjë lloj qasje në listën e pagave të punëtorëve të institucionit që ai drejton.

Ai ka thënë se me një vendim të Ministrit dhe të MKRS-se që nga viti i kaluar, Ministria ka aplikuar rregulla, siç ka thënë ai,  ‘arbitrare staliniste dhe ka mbyllur llogarinë e TKK-së’, duke marr edhe të gjitha ingirencat menaxhuese të institucionit, që ai drejton.

“Ky lloj arbitrariteti kundërligjor dhe kundërkushtetues është dashur të ndërpritet dhe të ndëshkohet qysh ditën që ka filluar të aplikohet. Fatkeqësisht, në shtetin ku ligj dhe kushtetutë është Kanuni i Hajdar Hashim Pashës, gjithçka është e mundur”, ka thënë Sopi për Kallxo.com.

Agon Myftari ishte zgjedhur udhëheqës artistik i Teatrit Kombëtar të Kosovës në qershor të 2015. Ndërsa ka përfunduar mandatin si udhëheqës i këtij teatri në qershor të këtij viti.