Ministria e Kulturës, Prishtine. 21 Maj 2015. Photo: Atdhe Mulla.

Emërohen organet drejtuese të Operës së Kosovës

Meriton Ferizi është emëruar Ushtrues i Detyrës së drejtorit të Operës së Kosovës, me një vendim të nënshkruar sot nga ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku.

Po sot me vendim të Çekut, është emëruar edhe Këshilli përgatitor për inicimin dhe funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës.

Pjesë e këtij Këshilli është edhe sopranoja e njohur botërore, Inva Mula.

Emërimi i organeve drejtues të Operës së Kosovës vjen gati dy muaj pas themelimit të këtij institucioni nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

vendimin e ministrit për emërimin e Ferizit në krye të Operës, thuhet se ai mban përgjegjësi për krijimin e kushteve të nevojshme të të punësuarve në institucionin e Operës, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Ndërkaq, Këshilli përgatitor, sipas vendimit të ministrit, do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë për funksionalizimin e institucionit të Operës së Kosovës, duke përfshirë organizmin e brendshëm, hartimin e akteve nënligjore të nevojshme, krijimin e kushteve adekuate infrastrukturore për punë, planin vjetor të punës etj.

Ky këshill përbëhet nga: Merita Juniku, Inva Mula, Dardan Selimaj, Rreze Kryeziu – Breznica, Besa Luzha, Edon Ramadani e Mehdi Uka.