Ekspozitë për mbledhje fondesh mbahet nesër në Prishtinë

Ekspozita “Rruza t’zemrës” me punime të ndryshme të viktimave të mundshme të trafikimin, hapet nesër në “Menza Ramiz Sadiku” në Prishtinë.

Ekspozita shitëse organizohet nga Qendra për Art dhe Komunitete- Artpolis, prej orës 13:00 deri në 15:00 në “Menza Ramiz Sadiku” në Qytezën Pejton në kryeqytet.

Përmes një komunikate për media, Artpolis bën të ditur se qëllimi i kësaj ekspozite është mbledhja e fondeve të cilat do t`u dedikohen grave që i kanë punuar punimet.

Sipas komunikatës, kjo ekspozitë do të prezantohet të premten, me datë 27.09.2019, tek “Menza Ramiz Sadiku”, në orën 13:00 deri 15:00.

“Aksesorë të ndryshëm, të punuar me dashuri dhe energji shumë të mirë nga viktima të mundshme të trafikimit, nën mentorimin e artistes Njomëza Luci. Fondet e mbledhura nga shitja e produkteve punëdore, do t`u dedikohen grave që i kanë punuar këta aksesorë”, thuhet në komunikatën e Artpolis.

Projekti “Fuqizimi socio-ekonomik dhe psikosocial i viktimave të trafikimit dhe viktimave të mundshme të trafikimit” financohet nga projekti i BE “Lëvizja përpara: Promovimi i efikasitetit dhe efektivitetit më të madh në Luftë kundër trafikimit të qenieve njerëzore”.

Projekti është zbatuar nga konzorciumi i udhëhequr nga Family and Childcare Centre (KMOP).