
Ekspozitë për grevën e minatorëve të Trepçës më 1989
Realizuar nga Iniciativa për Histori Gojore (IHG) dhe forumZFD, të mërkurën më 1 shkurt, në Muzeun Kombëtar të Kosovës hapet ekspozita “Hapësira e përpjekjes politike: Miniera e Trepçës 1989”.
Ekspozita do të hapet në ora 18:00, ndërsa është kuruar nga Erëmirë Krasniqi.
Përmes kësaj ekspozite, organizatorët sjellin për publikun historikun e grevës së minatorëve të Trepçës në Mitrovicë, në shkurtin e vitit 1989. Realizimi i kësaj ekspozite mbështetet edhe në rrëfimet e minatorëve pjesëmarrës në grevë.
“Ekspozita niset nga përkushtimi për të kuptuar format e reja të angazhimit politik që gjetën artikulim gjatë grevës së minatorëve të organizuar nga 20 deri më 28 shkurt, 1989. Nëntoka ishte hapësira e përpjekjeve të tyre politike dhe lokacioni nga ku ata krijuan një marrëdhënie tjetër me atë që ishte duke ndodhur politikisht mbi tokë”-thuhet në njoftimin e IHG-së për ekspozitën.
Ekspozita “Hapësira e përpjekjes politike: Miniera e Trepçës 1989” do të qëndrojë e hapur deri më 28 shkurt 2023 në MKK-së.
Më 20 shkurt të viti 1989, rreth 1 mijë e 300 minatorë filluar një grevë urie duke u mbyllur në galeritë e minierës së Trepçës për të kundërshtuar ndryshimet kushtetuese që suprimonin autonominë e Kosovës, atë kohë. Greva pati një jehonë në ndërkombëtarizimin e çështjes.
Hulumtimi dhe ekspozita mbi grevën e minatorëve – 1989, është realizuar edhe me mbështetjen përmes fondeve të Ministrisë Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ) dhe National Endowment for Democracy (NED).