Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.

Ekspozitë në Prishtinë - ‘Bota kujton Srebrenicën’

Bashkësia Islame e Kosovës dhe Bashkësia Islame e Bosnje dhe Hercegovinës kanë hapur të enjten më 24.10.2024, ekspozitën fotografike “Bota kujton Srebrenicën”.

Përmes kësaj ekspozite që u hap në hotelin “Swiss  Diamond” në Prishtinë, përkujtohet gjenocidi në Srebrenicë, i kryer kundër popullsisë myslimane boshnjake më 1995, nga forca ushtarake e paraushtarake të serbëve.

Fotografitë e ekspozuara në ekspozitën “Bota kujton Srebrenicës” sjellin imazhe të gjenocidit të bërë  në korrik të vitit 1995, ndaj popullsisë boshnjake nga forca serbe, vrasjes makaber, vende-ekzekutimet e pasoja e gjenocidit ndaj popullsisë së Srebrenicës.

Në ceremoni zyrtare të hapjes së kësaj ekspozite morën pjesë zyrtarë të lartë të dy bashkësive islame, të Qeverisë së Kosovës, e personalitete tjera politike e shkencore nga të dyja vendet.

Kryetar i BIK-ut, myftiu Naim Tërnava tha gjatë ceremonisë së hapjes së ekspozitës, se në Srebrenicë është kryer masakra më e madhe pas Luftës së Dytë në Europë. Sipas tij, gjenocidi në Srebrenicë është kryer nga forcat serbe, të cilat si qëllim kishin zhdukjen – spastrimin etnik të popullsi boshnjake.

“Para një spastrimi të tillë qëndrojnë pushtet dhe njerëz mizorë me qëllim për të zhdukur e shfarosur një etni tjetër në një zonë të caktuar. E në Bosnje ishte qëllimi për spastrim etnik të boshnjakëve, sikurse ishte qëllimi i ushtrisë serbe edhe në Kosovë në vitin 19989/99 duke bërë masakra të shumta, si ajo e Reçaktu, në Mejë, Obri e maskara të tjera”- tha Tërnava.

Kurse Azra Efendiq-Eminoviq, nga Bashkësia Islame e Bosnje dhe Hercegovinës tha se përmes kësaj ekspozite prezantohet gjenocidi në Srebrenicë, ku siç tha ajo mbi 8 mijë persona, duke përfshirë edhe foshnje u vranë mizorisht nga forcat serbe në korrik të vitit 1995.

“Ekspozita pasqyron imazhe të cilat mbesin në kujtesë, jo vetëm për familjarë e viktimave të Srebrenicës, njëkohësisht edhe të shërbejë për të ndërtuar besimin e një shoqëria që respekton të drejta e njeriu dhe dinjitetin në çdo qytetari”- tha ndër të tjerash ajo.

Ndërkaq, zëvendëskryeministrja e Kosovës, Emilia Rexhepi u shpreh se boshnjakët e Kosovës bashkëndjejnë dhe dënojnë gjenocidin në Srebrenicë.

“Kur e kujtojmë atë çfarë ka ndodhur në Srebrenicë, na kaplon një dhimbje e thellë njerëzore. Ne si boshnjakë që jetojmë në Kosovë, shprehim bashkëdhimbje të thellë dhe gjykimin e gjenocidit dhe gjithë asaj që ka kaluar në Bosnjë dhe të njëjtën e ndjen edhe populli i Kosovës”- tha Rexhepi.

Për krimet e kryera ndaj popullsisë boshnjake nga forcat serbe gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë folën edhe ish-presidenti Fatmir Sejdiu, Enver Hoxhaj, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës, studiuesja boshnjake, Zilha Mastaliq – Koshuta dhe i mbijetuari i gjenocidit, Mevludin Hrnjiq.

Pas disa muajve të sulmeve të pandërprera ushtrake, më 11.07.1995 ushtria e serbëve të Bosnjës mori nën kontroll enklavën e Srebrenicës, e cila mbrohej nga një batalion ushtarak holandez në kuadër të misionit ushtarak të OKB-së.

Pas marrjes së Srebrenicës dhe zonave për rreth ushtarë e paraushtarakë serbë vranë mbi 8 mijë burra, gra, fëmijë e pleq boshnjakë.

Më 23.05.2024, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka miratuar rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë.  Sipas kësaj rezolute 11 korriku njihet si Dita përkujtimore ndërkombëtare e gjenocidit në Srebrenicë.

Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Bota kujton Srebrenicë. Foto: KALLXO.com.