Pamje nga ekspozita “Return us home”. Foto: KALLXO.com.

Ekspozita ‘Return us home’, si thirrje për kthimin e artefakteve që mbahen në Serbi 

Aktivitetet për shënimin e 18 majit, Ditës Ndërkombëtare të Muzeve janë mbyllur sonte me hapjen e ekspozitës, “Return us home” (Na ktheni në shtëpi), me fotografi të artefakteve të Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK) që mbahen në Serbi. Ekspozita u hap në Lapidariumin e MKK-së.

Në këtë ekspozitë, organizuar nga Ministria e Kulturës dhe Muzeu Kombëtar janë ekspozuar rreth 700 fotografi të eksponateve që mbahen në muzetë e Beogradit.

Në kuadër të kësaj ekspozite është ekspozuar edhe “Hyjnesha në fron”, i vetmi artefakt i kthyer në 2002, nga koleksioni prej mbi 1200 artefakteve që mbahet në Beograd, me insistimin e ish- kryeadministratorit të atëhershëm të Kosovës, Michael Steiner. 

Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, deklaroi në hapje të ekspozitë se në Serbi gjendet pjesa më e vlefshme e eksponateve të MKK-së. 

Ai tha se është duke u punuar me organizata ndërkombëtare që kjo pasuri e trashëgimisë kulturore të kthehet në Kosovë. 

“Përmes aktiviteteve publike e jo publike si lobimi, do të vazhdojmë të punojmë deri në arritjen e qëllimeve për kthimin e thesareve të MKK”, ka thënë Çeku. 

Ndërsa, Ajet Leci, drejtor i MKK-së, ka kujtuar kërkesat që u janë dërguan muzeve në Beograd për kthimin e artefakteve. 

“MKK, në 2021 i është drejtuar ICOM (Rrjeti Ndërkombëtar i Muzeve) për të kërkuar mbështetje për kthimin e koleksionit arkeologjik dhe etnologjik, si dhe për ta adresuar këtë çështje në forumet e saja përkatëse dhe t’i bëjë presion Serbisë që muzetë e saj t’ i kthejnë koleksionet e Kosovës”, ka thënë ai. 

Ai tha se veprime të tilla do të ndërmerren edhe në të ardhme nga MKK. 

Kurse, arkeologia Zana Rama potencoi se MKK, ditën e sotme të 18 majit ia kushton thesarit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës që po mbahet në Serbi, me thirrjen: “Na ktheni në shtëpi” (Return us home). 

“Bazuar në regjistrin e MKK-së, tash e 23 vjet, fondit arkeologjik dhe etnologjik të Kosovës i mungojnë 1247 eksponate, të cilat padrejtësisht mbahen në Muzeun Kombëtar në Beograd, dhe në atë Etnografik”, tha arkeologia Rama. 

Në Beograd, që nga shkurti i vitit 1999, 1247 artefakte, prej tyre 571 artefakte etnologjike dhe 676 arkeologjike mbahen në Serbi. 

Ky fond i trashëgimisë ishte marrë për ekspozitë të shkurtër në Serbi. 

Pjesë e koleksionit të MKK, që mbahen në Serbi janë disa nga artefakteve më të rëndësishme, si: instrumenti muzikor, Okarina, koka e Erosit e gjetur në Ulpianë, busti i gruas dardani, pjesa kryesore e mozaikut të Gllamnikut, etj. 

Gjatë ditës së sotme janë mbajtur një sërë aktivitete për shënimin e ditës së muzeve.  

Pamje nga ekspozita “Return us home”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Return us home”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Return us home”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Return us home”. Foto: KALLXO.com.
Pamje nga ekspozita “Return us home”. Foto: KALLXO.com.