Pamje nga ekspozita “Fryma e dashurisë”. Foto: KALLXO.com.
Ekspozita artistike në ditëlindjen e shenjtores Nënë Tereza
Një ekspozitë artistike një ditore është organizuar sot, më 26.08.2024, për të shënuar ditëlindjen e 114-të të shenjtores shqiptare Nënë Tereza (Gonxhe Bojaxhiu).
Ekspozita “Fryma e dashurisë”, është organizuar nga Shoqatat, “Shqiptaria” dhe “Artistët për artistë” në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.
Në këtë ekspozitë janë ekspozuar, piktura me portrete të Nënën Terezës, por edhe vepra tjera të artistëve nga gjithë hapësira shqiptare.
Veton Gusia, që udhëheq shoqatën “Artistët për artistë” tha për KALLXO.com, se me këtë ekspozitë shënohet ditëlindja e shenjëtares shqiptare.
“Nënë Tereza është një figurë botërore, por edhe një figurë e rëndësishme kombëtare, na i ka hap dyert gjithë botën gjatë viteve të okupimit (viteve ’90- ta). Veprat e ekspozuara këtu për Nënë Terezën janë të artistëve nga gjithë hapësira shqiptare, pjesë e Shoqatës ‘Artistët për artistë”- tha Gusia.
Nobelistja shqiptare Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – Nëna Terezë ka lindur më 26 gusht 1910 në Shkup (Maqedoni e Veriut), atëherë pjesë e Vilajetit të Kosovës në Perandorinë Osmane.
Ajo çmohet për kontributin që ka dhënë në ndihëm të të varfërve dhe të pastrehëve.
Më 1979, Nënë Tereza është nderuar me çmimet Nobel për Paqe. Ndërsa, Kanonizimi (Shenjtërimi) saj është bërë më 4 shtator 2016, një ditë para 19-vjetorit të vdekjes së saj. Nënë Tereza vdiq më 5 shtator 1997 në Kalkuta, (Indi).