Kalaja e Novobërdes. Foto: Kallxo.com

Eksperti Shkodra: Papërgjegjësia po shkatërron trashëgiminë monumentale  

18 prilli, Dita Botërore e Trashëgimisë Monumentale dhe  Lokaliteteve Arkeologjike, e ka gjetur sërish trashëgiminë monumentale në Kosovë në një gjendje të keqe.   

Organizata e ndryshme që merren me trashëgimisë kulturore si: “Ec ma ndryshme” apo CHwB-ja në vazhdimësi raportojnë nga terreni dëmtime që po i bëhet trashëgimisë qoftë nga neglizhenca institucionale apo edhe nga persona të papërgjegjshëm. 

Gjendjen e rëndë të kësaj trashëgimie e ka pohuar edhe Valon Shkodra, hulumtues i pavarur në Institutin Albanologjik të Prishtinës. 

Eksperti Shkodra ka thënë për KALLXO.com se trashëgimia kulturore në Kosovë, vazhdimisht është rrezikuar nga ndërtimi i pakontrolluar, nga mos përshtatja e rindërtimit, nga moskujdesi, nga heshtja e shoqërisë, si dhe mungesa e vetëdijes për rëndësinë e saj.  

“Jemi dëshmitarë të kohës se shumë monumente nga persona të papërgjegjshëm i zëvendësuan objekte e vjetra në ato të reja, si pasojë e politikave jo të mira për t’i mbrojtur ato”, ka thënë Shkodra, i cila javë më para ka botuar një libër për Muzeun Etnologjik të Prishtinës.

Menaxhimi i trashëgimisë, shton Shkodra, edhe pse kanë kaluar 21 vjet  pas përfundimit të Luftës në Kosovë, çuditërisht, akoma ka mbetur një fushë e re te ne, dhe vetëm viteve të fundit ka filluar të identifikohet dhe të merret më seriozisht.  

Andaj ka thënë më tej ai, trashëgimia kulturore lypset të menaxhohet dhe të mbështetet në mënyrë të vazhdueshme. Pas, vazhdon Shkodra, trashëgimia kulturore trajtohet jo vetëm si aset nacional, por edhe si pjesë e industrisë turistike.  

“Nëse themi se punët po shkojnë mirë në menaxhimin e trashëgimisë kulturore, mjafton t’i lëshojmë një sy dhe të pyesim për disa monumente të cilat i kemi në Prishtinë, si p.sh: Hamami i qytetit, objekt i ndërtuar në shekullin e XV, pyetja e njëjtë është edhe për Xhaminë e Çarshisë, e ndërtuar në shekullin e XV, po për Muzeun Etnologjik të Prishtinës çka u bë me të, pse nuk përfundoi restaurimi? Po Muzeu i Natyrës kur do të hapet? Këso pyetje mund t’i shtrojmë edhe për qytetet e tjera të Kosovës, mos të flasim për fshatra të tërë që kanë mbetur shkret! Fatkeqësisht, kjo pasqyrë e shkurtër e trashëgimisë kulturore tregon shumë, për një menaxhim të dobët institucional dhe një investim me kosto të ulët institucional”, tha ai.  

 Në vitin 1982, ICOMOS (Këshilli Ndërkombëtar i Monumenteve dhe Lokaliteteve vendosi datën 18 Prill si Ditën Ndërkombëtare për Monumentet dhe Lokaliteteve Arkeologjike, e u fuqizua në Konferencën e 22-të të Përgjithshme të UNESCO-s të mbajtur në vitin 1983. Kjo ditë shihet si mundësi për të gjithë komitetet kombëtare që të mbrojnë qëllimet e tyre të përbashkëta.