Ekrem Kryeziu fitues i çmimit ‘Bekim Fehmiu’

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur sot fituesit e çmimeve kombëtare për kinematografinë për 2020.

Regjisori dhe dramaturgut Ekrem Kryeziu është shpallur fitues i Çmimi Kombëtar për Vepër Jetësore, “Bekim Fehmiu”, ndërsa Çmimi Vjetor për Kinematografi i ndahet regjisorit Samir Karahoda.

MKRS përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se vendimi për ndarje e çmimeve për kinematografi këtë vit është marrë nga Juria P\profesionale në përbërje të Arbnesha Grabovci-Nixha, kryetare; Burbuqe Berisha, Kimete Berisha, Agron Vula dhe Blerta Basholli, anëtare.

Ekrem Kryeziu. Foto MKRS

Sipas arsyetimit të Jurisë profesionale, regjisori Ekrem Kyryeziu i ndahet çmimi “Bekim Fehmiu’ për kontributin  në zhvillimin e filmit kosovar.

“Kryeziu ka qenë pjesë e ‘Kosovafilmit’ që nga themelimi me filmat “Kur pranvera vonohet” dhe “Gjurmë të bardha” dhe ky film ka qenë edhe arsye e burgosjes së tij për vepër artistike. Regjisori Kryeziu ka krijuar edhe pas mbylljes së institucioneve nga regjimi serb dhe ka kontribuar jashtëzakonisht shumë për kinematografinë e Kosovës”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e jurisë për ndarje e çmimeve për kinematografisë.

Samir Karahoda. Foto: MKRS

Ndërkaq, regjisori Karahoda, sipas vlerësimit të jurisë i takon valës së re të filmbërësve, suksesi i të cilit me filmin “Në mes” për herë të parë vuri emrin e Kosovës në konkurrencën zyrtare të Festivalit të Berlinales, një prej festivaleve më të shquara të Kategorisë A.

“Suksesi i filmit “Në mes” numëron një mori suksesesh duke marrë pjesë edhe në shumë festivale tjera prestigjioze dhe së fundmi, edhe në konkurrencën zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Qipros, përkundër pengesave politike, ku në këtë festival ka fituar kandidimin për Çmimin e filmit të shkurtër dokumentar në European Film Academy. Karahoda është nominuar për këtë çmim nga Qendra Kinematografike e Kosovës”, thuhet në vlerësimin e jurisë për çmimin vjetor në kinematografi.