HardhFest 2022, Rahovec. Foto:KALLXO.com

Edicioni Jubilar i ‘Hardh Fest’ sjell yje ndërkombëtarë në Kosovë

Festivali i rrushit ‘Hardh Fest’ në Rahovec kthehet për 10-vjetorin e tij, duke ofruar tre ditë muzikë, kulturë dhe festime, ku vizitorët mund të shijojnë shkeljen tradicionale të rrushit, aktivitete të përshtatshme për familje dhe Panairin vjetor të Verës për të festuar fillimin e korrjes së rrushit.

Nën moton “Për kokërr të qejfit,” edicioni i 10-të i Hardh Fest, festivali më i njohur i korrjes së rrushit në Kosovë, hap dyert nga 6 deri më 8 shtator.

Artistët kryesorë që do të performojnë gjatë tre netëve të festivalit përfshijnë: ish-kitaristin kryesor të Guns N’ Roses, Bumblefoot, Gipsy Kings nga Diego Baliardo, George Gakis dhe shumë artistë vendorë.

Vizitorët e festivalit do të kenë mundësinë të shijojnë një përzierje të muzikës live, aktiviteteve tradicionale dhe performancave ndërkombëtare në Rahovec.

Agron Sokoli, drejtori i festivalit, theksoi se ky edicion jubilar sjell një veçori të re— skenën më të madhe dhe një audiencë më të gjerë ndërkombëtare.

“Kemi vendosur skenën më të madhe ndonjëherë për këtë festival, veçanërisht sepse kemi Gipsy Kings. Tetëdhjetë për qind e hapësirës së festivalit është tashmë hyrje falas. Biletat për Fanpit janë për ata që janë pranë skenës për shkak të sistemit të zërit, të kërkuar nga Gipsy Kings për të përmbushur standardet ndërkombëtare,” tha Sokoli për BIRN.

“Ka shumë interesim dhe shumë bileta janë blerë nga audienca ndërkombëtare,” shtoi ai.

Ushqimi tradicional i Rahovecit në HardhFest 2022. Foto:KALLXO.com

Siç është zakon, festivali do të nisë me paradën e makinave bujqësore, duke shënuar hapjen zyrtare të Hardh Fest 2024.

Një nga pikat kryesore të festivalit mbetet Panairi i Verës, i cili pritet të tërheqë shumë kompani dhe prodhues. Derisa, një nga aktivitetet më të njohura është gara e shkeljes së rrushit.

Aktivitet tjetër është Hardh Kids, ku fëmijët mund të shprehin kreativitetin e tyre përmes artizanateve të ndryshme.

Konferenca Hardh Talk do të fokusohet në temën, “Trashëgimia Kulturore dhe Historike e Kultivimit të Rrushit dhe Prodhimit të Verës.”

Hardh Fest është organizuar që nga viti 2001. Fillimisht i organizuar nga shoqatat lokale, është rritur në një traditë kombëtare, duke festuar fillimin e korrjes së rrushit nga kultivuesit vendas.