Edicioni i 13-të i “PriFest”-it do të hapet dhe mbyllet me filma kosovarë

Dy filma kosovarë hapin dhe mbyllin edicionin e 13-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Prishtinë

Filmi “Zgjoi” (Hive) i regjisores Blerta Basholli, fitues i trefishtë në festivalin Sundance, do të jetë filmi që hap edicionin e 13-të të “PriFest 2021”.

Ndërsa,  mbyllet me shfaqjen e filmit “Në kërkim të Venerës” (Looking for Venera) të regjisores Norika Sefa.

Organizatorët e festivalit kanë bërë të ditur, këta dy filma në “PriFest” do të kenë premierat e tyre  kosovare.

Vjosa Berisha, drejtoreshë e “Prifestit” ma thënë me këtë rast është hera e parë që “PriFest” do të hapet dhe mbyllet shfaqjen e  filma vendorë të metrazhit të gjatë.

“Jemi edhe krenarë që pikërisht këta dy filma kanë filluar rrugëtimin e vet në ‘PriFest’, duke qenë pjesëmarrës në programet e platformës sonë PriForum, qysh kur ishin në fazën e zhvillimit të projekteve”, është shprehur ajo.

Filmi “Zgjoi” flet për Fahrijen, një grua burri i të cilës është zhdukur që nga lufta në Kosovë, nis një biznes të vogël bujqësor për të siguruar familjen e saj në një mjedis tradicional patriarkal ku ambicia e saj për fuqizimin nuk shihet si një gjë pozitive.

Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj.

Ndërsa një film tjetër kosovarë, gjitashtu tashmë me sukses ndërkombëtarë (fitues i cmimit në Rotterdam), “Në kërkim të venerës”  i regjisores Norika Sefa do të jetë filmi përmbyllës i festivalit.

Nga një takim i çuditshëm, Venera e ndrojtur nis të vë në dyshim familjen e sajë patriarkale dhe të ndjekë Dorinën mendje-hapur, qëndrimi i fortë i së cilës nxit kureshtjen e Venerës për të eksploruar më shumë.

Në film luajnë: Kosovare Krasniqi, Rozafa Çelaj, Erjona Kakeli, Basri Lushtaku, Bleon Makolli, Fatushe Nushi, Ajan Zharku, Ermal Bilalli, Tristan Halilaj, Shend Miftari, Anisa Ismajli, Sheqerie Buqaj etj

Të dy këta filma janë mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

“PriFest” do të mbajë edicionin e 13-të mes datave 24-29 gusht 2021.