Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

“Ec ma ndryshme” publikon hulumtimin për urat e Prizrenit

Organizata “Ec ma ndryshe” ka publikuar hulumtimin: “Trashëgimia mbi Lumëbardh – Urat e Prizrenit dhe vlerat e tyre”.

Qëllimi i këtij hulumtimi, sipas kësaj organizate, është që të promovojë rëndësinë dhe vlerën e urave të qytetit më të vjetër në Kosovë.

“Roli i urave në jetën e qytetit dhe të shoqërisë ka peshë të veçantë. Edhe në rastin e Prizrenit, përgjatë historisë, urat kanë luajtur një rol të rëndësishëm praktik, ekonomik, kulturor, historik dhe së fundmi turistik. ‘EC Ma Ndryshe’, me synimin që të promovojë rëndësinë dhe vlerën e urave të qytetit të vjetër, ka publikuar hulumtimin ‘Trashëgimia mbi Lumëbardh – Urat e Prizrenit dhe vlerat e tyre’”- thuhet në njoftimin e “Ec ma ndryshe”.

Ky publikim, sipas “Ec ma ndryshe”, ka vënë në pah se si ato ura janë lidhje fizike, emocionale dhe kulturore midis së kaluarës dhe së tashmes. Përmes tyre, qyteti jo vetëm që ruan historinë e vet, por edhe përcjell një mesazh të fuqishëm për rëndësinë e kësaj trashëgimie.

Hulumtimi është realizuar në tri pjesë.

“Në pjesën e parë, janë hulumtuar arkivat, librat dhe dokumentet e ndryshme mbi urat që kanë ekzistuar dhe akoma ekzistojnë në Prizren. Më pas, janë realizuar intervista me ekspertë nga fusha e historisë dhe trashëgimisë kulturore. Në fund, është realizuar edhe një pyetësor me qytetarët e Prizrenit”- thuhet në njoftim.

Këto përpjekje synojnë të sigurojnë një pasqyrë të qartë mbi gjendjen e urave publike dhe rëndësinë e tyre për qytetin e Prizrenit.

Këto ura, sipas “Ec ma ndryshe” janë më shumë se struktura, respektivisht janë lidhje mes njerëzve, epokave dhe kulturave.

Bazuar në këtë hulumtim, rezulton se në rajonin e mbuluar nga Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren, gjithësej katër ura gëzojnë mbrojtje institucionale si monumente të trashëgimisë kulturore. Dy ura të vjetra prej gurit ndodhen në territorin e Prizrenit, derisa e treta ndodhet në Bubël të Komunës së Malishevës. E katërta është Ura e Gurit në Rahovec, e cila gjithashtu ka vlera të shtuara të trashëgimisë kulturore.

Ura e vjetër në grykën e Lumbardhit e vendosur në kilometrin e 6-të të rrugës Prizren-Reçan, me gjatësi 20 metra dhe gjerësi 3.3 metra është ndërtuar mbi shkëmb gëlqeror dhe ka vetëm një qemer të lartë 6 metra mbi nivelin e ujit.