Dumoshi premton themelimin e Qendrës së Librit

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi ka takuar sot anëtarët e sapo emëruar të Këshillit të Librit. Gjatë këtij takimi, ministrja Dumoshi është zotuar se do të themelojë Qendrën e Librit.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit  bëri të ditur se ministrja Dumoshi ka premtuar bashkëpunim për ndihmë për autorët dhe botuesit kosovarë.

“Ministrja u zotua që do të rritet fondi për përkrahjen e botimeve dhe blerje të librave si dhe u shpreh e bindur që Këshilli do të jetë aktiv në angazhimet e veta dhe do të punojë me profesionalizmin e duhur, në atë mënyrë që të bëhet seleksionimi i duhur i autorëve dhe librave që do të përkrahen nga MKRS. Gjithashtu theksoi që prioritet i saj për këtë mandat është themelimi i Qendrës së Librit”, thuhet në njoftimin e MKRS-ë.

Sipas këtij njoftimi anëtarët e sapo emëruar janë zotuar se do të angazhohen maksimalisht brenda funksionit dhe detyrës që u është dhënë ndonëse viti 2020 dhe situata me COVID-19, siç thuhet më tej në njoftim, ka bërë që aktiviteti i botuesve të bjerë ndjeshëm dhe kjo ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në prurjet e reja të autorëve.

Këshilli i Librit, bazuar në ligjin për librin dhe veprimtarinë botuese emërohet nga Ministri i Kulturës dhe është organ këshillëdhënës që ka për qëllim të japë iniciativa dhe të propozojë vendime në të mirë të veprimtarisë botuese, të librit dhe të leximit të tij.

Këshilli i Librit përbëhet nga një përfaqësuesi i autorizuar i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Universitetit të Prishtinës, Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Bibliotekës Kombëtare dhe Universitare, Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Institutit Albanologjik si dhe nga krijues të afirmuar (sipas gjinive letrare: një poet, një prozator, një kritik letrar).