Drama në gjuhën rome jepet nesër në teatrin 'Dodona'

Drama rome “Juvlenge Historie” (Rrëfimet e grave) jepet nesër në Teatrin e Qytetit të Prishtinës, “Dodona”, duke filluar nga ora19:00. Drama luhet në gjuhën rome me titra shqip.

Regjinë e kësaj drame e ka bërë Tansu Kervan, ndërsa luajnë Gynesh Veshall dhe Melisa Menekshe.

Shfaqja “Juvlenge Historie” produksion i teatrit rom “Nexhip Menekshe” nga Prizreni, mbështetet në ngjarje reale dhe risjellë për publikun rëndësinë që ka respektimi i të drejtave të grave.

Teatri rom “Nexhip Menekshe” funksion tash e tri dekada dhe për çdo vit realizon drama në gjuhën rome. Për realizmin e këtyre shfaqjeve ky teatër angazhon regjisor të ndryshëm.

Fatmir Menekshe, drejtor i Shoqërisë Artistike “Durmish Aslano”, thotë për KALLXO. com se teatri “Nexhip Menekshe” funksionon në kuadër kësaj shoqërie që nga viti 1989.

“Teatri mban emrin e Nexhip Menekshe, i cili ka shkruar 12 drama, ka bërë 18 regji për këtë teatër dhe ka luajtur shumë prej shfaqjeve të këtij teatri, dhe ishte pjesë e tij që nga themelimi e deri më  2019. Teatri është amator dhe vazhdon me frymën amatoreseke të funksionimit”- tha ai.

Menekshe thotë se teatri promovon kulturën rome edhe merr  pjesë rregullisht në shumë aktivitete për komunitetin rom. Ndërsa, shton se çdo vit për festën e komunitetit rom (8 prill) realizon një premierë të re.

Shfaqja e dramës “Juvlenge Historie” (Rrëfimet e grave) organizohet në kuadër të Fondit për Art Feminist të “Artpolis” përkrahur nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) “EJA Kosovë’, bashkëfinancuar nga “Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.