Foto: Etnofest/Screenshot

Drama kushtuar familjeve të personave të zhdukur, premierë në Kukaj

Këtë të premte, më 30 gusht 2019 në ora 20:00, në Etnokompleksin (vendi ku mbahet Eetnofesti) në fshatin Kukaj të Prishtinës, do të jepet premiera e shfaqjes “Shkamat” e regjisorit Fadil Hysaj.

Realizimi i kësaj drame është bërë i mundur përmes një partneriteti në mes Misionit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Kosovë dhe regjisorit Fadil Hysaj.

Përmes kësaj shfaqje synohet të rritet vetëdijesimi dhe bashkëndjesia e shoqërisë për gjendjen e rëndë sociale dhe psikologjike të familjarëve të personave të zhdukur.

Regjisori Fadil Hysaj ka thënë se drama “Shkamat” është shkruar para shtatë viteve, e frymëzuar nga drama “Karriget”, e Eugène Ionesco-s, që është përdorur si koncept kryesor për dramën “Shkamat”, e cila e trajton çështjen e personave që janë zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kjo dramë, sipas Hysajt, e portretizon një çift të moshuar në të gjashtëdhjetat, që jeton në vetmi në Malësinë e Gollakut dhe që e pret kthimin e djalit të tyre, që ka munguar që 20 vjet.

Trajtimi i çështjes së personave të zhdukur është, para së gjithash, çështje humanitare, por ka edhe dimensione politike, gjyqësore dhe ligjore.

Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, e drejta e familjarëve për të ditur për fatin dhe vendndodhjen e ndonjë të afërmi të tyre është çështje fundamentale e së drejtës ndërkombëtare humanitare dhe e ligjit për të drejtat e njeriut.

Obligimet ligjore të shteteve janë përcaktuar në Konventat e Gjenevës dhe Protokollet Shtesë së tyre, së bashku me Konventën Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të gjithë Personave nga Zhdukja me Forcë.

Çështja e pazgjidhur e personave të zhdukur i ka rënduar vazhdimisht familjarët e prekur dhe shoqërinë në përgjithësi qe më shumë se 20 vjet, që kur ka përfunduar konflikti në Kosovë.

Sipas të dhënave të KNKK, ende janë 1653 njerëz të zhdukur në lidhje me konfliktin e viteve 1998-1999.