Dorëhiqen dy anëtarë të jashtëm të Komitetit të Nobelit, njëri shkaku i Handkes

Dy anëtarë të jashtëm të Komitetit për çmimin Nobel për letërsinë kanë dhënë dorëheqje të hënën pasi kritikuan Akademinë suedeze, e përfshirë në një skandal, raporton Reuters.

Akademia 233-vjeçare u detyrua të marrë disa masa të reja pas një skandali seksi që përfshiu burrin e një ish-anëtareje, që provokoi një grindje të hidhur.

Anëtarët e jashtëm ishin shtuar për të ndihmuar Komitetin e Nobelit në zgjedhjen e kandidatëve për çmime për t’u votuar nga Akademia.

Autori Kristoffer Leandoer tha se po largohej pasi ai nuk kishte “as durim dhe as kohë” për të pritur që Komiteti të përfundojë reformat e tij.

“Akademia dhe unë kemi një këndvështrim tjetër me kohën, një vit është shumë i gjatë në jetën time dhe shumë i shkurtër në jetën e Akademisë,” shkroi ai në një artikull në Svenska Dagbladet, raporton Reuters.

Leandoer tha se vendimi i tij nuk ishte i lidhur me vendimin për dhënien e çmimit 2019 për shkrimtarin e diskutueshëm austriak Peter Handke, për të cilin Akademia ka marrë kritika si brenda dhe jashtë vendit.

Por, Gun-Britt Sundstrom tha në një deklaratë të botuar në Dagens Nyheter, raporton Reuters,  se zgjedhja e Handkes ishte interpretuar sikur letërsia të qëndronte mbi politikë dhe ajo nuk e ndante atë pikëpamje.

Handke është kritikuar shumë për portretizimin e tij të Serbisë si viktimë gjatë luftërave në Ballkan dhe për pjesëmarrjen në varrosjen e ish-presidentit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Millosheviq vdiq në vitin 2006 në Hagë pak kohë para se të shpallej aktgjykimit për krime lufte.

Akademia suedeze konfirmoi, raporton Reuters, që Leandoer dhe Sundstrom ishin larguar nga komiteti i Nobelit, i cili deri sot ishte i përbërë nga katër anëtarë të Akademisë suedeze dhe pesë anëtarë të jashtëm.

“Ne jemi mirënjohës për përpjekjen e rëndësishme që ata bënë gjatë vitit dhe tani po rishikojmë se si do të organizohet puna e Komitetit Nobel për çmimin Nobel 2020 për letërsi,” tha Mats Malm, sekretari i përhershëm i Akademisë suedeze, në një deklaratë, raporton Reuters.