Dobruna, artisti që përmes ‘Lirindjes’ thumbonte artistikisht zhvillimet në botën shqiptare

Pak ditë më parë pas një sëmundje mbylli sytë njëri prej dizajnerëve më të talentuar kosovar, Gurakuq Dobruna- Kuqi.

Gurakuq Dobruna ka vdekur të enjten e kaluar në moshën 53 vjeçare, duke lënë prapa një krijimtari të begatë në fushën e dizajnit. Dobruna, një dizajner grafik ishte edhe themeluesi i gazetës thumbuese – politike “Lirindja”, përmes së cilës në mënyra artistike thumbonte zhvillimet që karakterizonin botë shqiptare.

Figura të personaliteteve të njohura kosovare kishin zënë vend në ballinën e revistës së dizajnuar nga Dobruna.

Dobruna ishe edhe një prej bashkëpunëtorëve të teatrit të qytetit të tij – Gjakovës, duke dizajnuar posterët e këtij teatrit që prej 8 vjetëve.

Edi Kastrati, drejtor i Teatrit të Qytetit të Gjakovës, “Hadi Shehu” ka thënë se vdekja e Dobrunës është një humbje e madhe për artin në vend.

“Që prej tetë vjetëve Dobruna ishe autor i posterëve të teatri ‘Hadi Shehu’, por jo vetë. Ai ka dizajnuar edhe monografinë e teatri dhe shumë punë tjera për nevoja tona”, ka thënë Kastrati për Kallxo.com.

Dobruna është kujtuar edhe nga personalitetet politike. Ardian Gjini, kryetari i Komunës së Gjakovës ka shkruar në Facebook se shembulli dhe kontributi i Dobrunës do të jetojnë gjatë në Gjakovë.

“Si kontributdhënës i palodhshëm në shëndetësi, art, politikë e shumë sfera tjera, humbja e Gurakuqit është një humbje e madhe, jo vetëm për familjen dhe shoqërinë e tij, por për tërë komunën e Gjakovës. Shembulli dhe kontributi i tij do të jetojnë gjatë në Gjakovë, qytetin të cilit ai i dha shumë”, ka shkruar kryetari Gjini.

Ndërsa, Mimoza Kusari, deputete nga Gjakova në Kuvendin e Kosovës, ka shkruar në Facebook se Dobruna ishte mishërim i Gjakovës së kuqe.

“I qetë, i mençur dhe trim, gjithmonë i gatshëm t’i ndihmoj vendit dhe familjes. Krijimet e tij sfiduan imagjinatën dhe thumbuan ata të cilëve ju duhej një dozë realiteti. #Lirindja portretizoi shpirtin e tij kreativ dhe ndërgjegjen e lartë qytetare. Ai ishte idealisti që besoi se vendi meriton më mirë dhe mbështeti secilën ide që i shtonte vlerë Kosovës dhe shqiptarisë. Njeri me virtyte dhe vlera të rralla! Edhe pse afër politikës, Gurakuqi veproi dhe kurrë asgjë nuk i kërkoi politikës dhe kurrë asgjë nuk i mori vendit”, ka shkruar deputetja Kusari

Kuasri ka shkruar më tej se veterani i UÇK-së dhe bashkëpunëtori i saj prej një dekade, Gurakuq Dobruna ishte idealisti që besoi se vendi meriton më mirë dhe mbështeti secilën ide që i shtonte vlerë.

“Gurakuq Dobruna ishte patriot, i brumosur me vlerat më të larta njerëzore. Luftëtari i UÇK-së i cili iu bashkua thirrjes për liri dhe bashkë me dy vëllezërit e tij kontribuoi deri në ditën e çlirimit”, ka shkruar Kuasari.

Dobruan është kujtuar edhe nga grupi i tifozëve “Kuq e Zi”, pjese e të cilëve ishte edhe personalitetet tjera nga arti, kultura e politika.