Muzeu i Kosovës. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dita Nërkombëtare e Muzeve, cila është gjendja e muzeve në Kosovë?

Muzetë në Kosovë vazhdojnë të përballen me probleme nga më të ndryshmet. Pavarësisht investimeve infrastrukturore, të promovuar nga Ministria e Kulturës në këto institucione, 18 Maji – Dita Ndërkombëtare e Muzeve, institucionet muzeore në Kosovë i gjen pa ndonjë ndryshim të dukshëm nga vitet paraprake.

Njohës të fushës së trashëgimisë kulturore kanë thënë për KALLXO.com se muzetë kosovare po  përballen me mungesë të kuadrit të nevojshëm, sidomos për restaurimin e artefakteve, plane për nxitjen e vizitorëve, e veçmas me mungesë të një baze të qartë ligjore për funksionimin e tyre.

Megjithatë, sipas tyre, janë bërë edhe investime në përmirësimin e këtyre institucioneve, sidomos në  infrastrukturë.

Sadik Krasniqi, nënkryetar i Këshillit të Kosovës për Trashëgimisë Kulturore dhe ekspert në muzeologji, thotë se gjendja e përgjithshme e muzeve në Kosovë lë shumë për të dëshiruar.

“Funksionimi i muzeve sot në Kosovë, shoqërohet me disa të meta siç janë: buxheti i limituar, mungesa e legjislacionit dhe mungesat e kuadrove profesionalë në fushën e muzeologjisë si dhe domosdoshmëria e profilizimit të muzeve”-thotë Krasniqi.

Sipas tij, për përmirësimin e funksionit të muzeve prioritet duhet t’i jepet hartimit të një ligji për muzetë, inventarizimit dhe restaurimit- konservimit të koleksioneve muzeore nëpër shumicën e muzeve të Kosovës, në rang nacional dhe lokal.

Sali Shoshi, drejtori i ekzekutiv i Organizatës Trashëgimia Kulturore pa Kufij -CHëB-Kosova, në një prononcim për Kallxo.com thotë se muzetë kosovare nuk janë bërë më të qasshëm nga vitet paraprake dhe numri i vizitorëve ka mbetur shumë i ulët.

Ai thotë se janë bërë investime në infrastrukturë e disa muze, si në: Prishtinë, Gjakovë e Pejë. Por, sipas tij, për muzetë me rëndësi është përmbajtja, interaksioni, ndërveprimi që muzetë e kanë me komunitetin përreth e grupe të ndryshme që kanë nevojë të qasen në muze.

“Shumë më shumë duhet të bëhet në programin e muzeve. Muzetë janë për njerëzit dhe duhet të kenë programe ku të përfshijnë fëmijë e të rritur dhe ta kryejnë rolin e tyre në raport me nevojat që i ka shoqëria, jo vetëm për konsum kulturor, por një lloj hapësire publike ku njerëzit kur dalin prej shtëpive, jo domosdoshmërisht të shkojnë në qendra tregtare, por shumë më shumë në hapësira të tilla publike”-tha ai.

Ndërsa, Bashkim Lajçi, etnolog, thotë për KALLXO.com se 18 maji i këtij viti muzetë i gjen në një gjendje më të mirë sesa vitet e kaluara.

Por, thotë ai, muzetë kanë nevojë për më shumë mjete financiare, veçmas për sigurimin e lëndës muzeale në terren e përmirësimin e kushteve për mbrojtje sa më efikase të lëndës.

“Gjendja e artefakteve nëpër muzetë tona nuk është e kënaqshme. Si pasojë e kësaj gjendje, s’do mend se është edhe mungesa e kuadrit përkatës-konservuesve,  për materiale të ndryshme, pastaj mungesa e ambienteve përkatëse, me elemente përcjellëse, si: ajrosja, temperatura e përshtatshme etj.”-thotë etnologu Lajçi.

Në Kosovë ekzistojnë një numër rreth 30 muze të nivelit qendror dhe lokal.

Çdo 18 maj, në mbarë botën shënohet Dita Ndërkombëtare e Muzeve.  Kjo ditë shënohet që nga viti 1977 dhe është themeluar nga Këshilli Ndërkombëtar i  Muzeve (ICOM), me qëllim të vetëdijesimit rreth rëndësisë së muzeve në zhvillimet shoqërore.