Dita e pestë e protestës së punëtorëve të Ministrisë së Kulturës

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës kanë protestuar edhe sot, duke hyrë kështu në ditën e pestë të protestës për të refuzuar largimin nga objekti ku aktualisht gjendet kjo ministri.

Përmes përfaqësuesit të tyre, Labinot Berisha, punëtorët e Ministrisë së Kulturës kanë bërë të ditur se nuk do të pranojnë të largohen nga objekti për të shkuar në një objekt privat.

Labinot Berisha, kryesindikalisti i punëtorëve të Ministrisë së Kulturës, ka bërë të ditur objektit të MKRS gjatë këtyre ditëve të protestës i është ndalur edhe ngrohja dhe nuk po bëhet pastrimi i zyrave.

“Po përdoren edhe disa metoda, t’i quaj fashiste, këto 4-5 ditë që ne kemi filluar protestat na është ndalur ngrohja në Ministrinë e Kulturës dhe nuk është duke u bërë pastrimi i zyrave”, ka thënë Berisha.

Ai ka kujtuar protesta e punëtorëve nuk ka për qëllim që të refuzohet bartja e Presidencës në këtë objekt por “qëllimi ynë është MKRS të mos zhvendoset në prona private, ku kostoja është shumë e madhe”.

Protesta e punëtorëve të MKRS për të kundërshtuar largimin nga objekt pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme.