'Exit Festival'. Foto: Facebook/Exit Festival

Disa DJ e vetëm ndonjë grup muzikantësh, kanë përformuar për dhjetë vjetet e festivalit më të madh të muzikës në Serbi “Exit Festival”

Çdo vit, në Kështjellën e “Petrovaradin” afër Novi Sadit në Vojvodinë (Serbi) organizohet festivali ndërkombëtar i muzikës, “Exit Festivali”.

I themeluar më 2000 ky festival llogaritet si një ndër eventet muzikore më të mëdha në Evropën Juglindore.

Gjatë 20-vjetëve, në këtë festival kanë performuar emra të mëdhenj të muzikës botërore, bende dhe DJ të njohur.

Duke pasur parasysh përmasat e këtij festivali, numri i artistëve shqiptarë që kanë preformuar në këtë festival është mjaft simbolik.

KALLXO.com ka hulumtuar mbi programin e 10 vjetëve të fundit të këtij festivali. Gjatë këtyre vjetëve në këtë festival kanë prerformuar pak DJ e bende me artist shqiptarë.

Dj Vegim, DJ Adriatique, DJ Regard, grupi “The Freelancers” e ndonjë tjetër, janë artistët shqiptarë, emrat e të cilëve figuronin në listat e “EXIT festival”, ndër vite.

Në fillim ishte bërë “zhurmë” për performancën e artistëve nga Prishtina, por vitet e fundit gjërat ndryshuan dhe artistët nga Kosova priten sikurse gjithë të tjerët.

DJ shqiptarë në “Exit Festival”

Vegim Hashimi (DJ Vegim) është ndër artistët shqiptar, i cili më muzikën e tij ka argëtuar publikun e “Exit Festival”, në 2010 dhe në 2016.

Në një prononcim për KALLXO.com, Hashimi ka thënë se prezantimi i tij i parë në 2010 në këtë festival, si DJ ishte përcjellë me probleme.

“Të parën herë kam lëshu (muzikë) në 2010, nuk më kujtohet stage-i, por më kujtohet që shumë e madhe është bërë për shkak se te emri më shkruante Pristina, Ks. (Gazetat) Kuriri e Blici këtë lajm e kanë pas në faqen e parë me titullin: ‘Exit Festival’ pranon Kosovën si shtet. Pastaj është vendos që t’ju heqen të gjithë artistëve emri i shtetit dhe inicialet. Atje i kam pas 20 truproja të cilët kanë qenë në aksion 2 orë sa kam lëshu (muzikë). Kurrë në jetë nuk kam pasur asi sigurimi. Për shkak se gjithë kjo ka bërë shumë sherr në mediat serbe, në momentin kur e kam përfundu performimin, më është dashur të kthehem”, ka thënë Hashimi.

Por, ai thotë se gjatë prezantimit të tij në “Exit Festival”, në 2016, gjithçka ishte ndryshe.

“Herën e dytë kemi leshu (muzikë) me ‘Flekitzen’, në 2016. Pritja ka qenë shumë më ndryshe, askujt nuk i bëhej vonë pse ne ishim nga Kosova. Ishte kontrast i madh me herën e parë”, ka thënë artisti kosovar, Vegim Hashimi.

Grupi “The Freelancers” ka performusr në 2011 në këtë festival. Tomor Kuçi nga “The Freelancers” ka konfirmuar për KALLXO.com pjesëmarrjen në “Exit Festival” në këtë vit.

“Me bendin “The Freelancers” kemi marrë pjese në ‘Exit Festival’ në vitin 2011. Kemi përformu në Suba Stage, këngë prej albumit tonë “N’kuti” dhe koncerti është pritur shumë mirë prej publikut”, ka thënë Kuçi.

Gjergj Emini nga “Plur Agency”, agjenci partnere nga Kosova e “Exit Festival” ka thënë për KALLXO.com, se në këtë festival kanë performuar artistë shqiptarë.

“Artistët shqiptarë që kanë performuar në ‘Exit Festival’ të rangut botëror, mund ta cekim Adriatique (2019). Fatkeqësisht ‘Exit 2020’ është anuluar për shkak të pandemisë ku ka pas me performu DJ Regard (Dardan Aliu). Kemi edhe DJ lokal që kanë performuar aty, si Dj Vegim Hashimi dhe Flekitza”, ka thënë Emini.

KALLXO.com i ka dërguar pyetje edhe menaxhmenti të ‘Exit Festival” për të mësuar se cilët artistë shqiptarë kanë qenë pjesë e këtij festivali gjatë viteve, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë përgjigje nga organizatorët e këtij festivali.

‘Exit Festival’. Foto: Facebook/Exit Festival

Interesimi i kosovarëve 

Gjergj Emini nga “Plur Agency”, agjenci partnere nga Kosova e “Exit Festival” ka thënë për KALLXO.com, se të rinjtë shqiptarë, në fillim kanë hezituar të shkojnë në Novi Sad, por me kalimin e kohës e kanë kuptuar që politika dhe arti janë dy kahe të kundërta.

“Ne si ‘PLUR Agency’ jemi pikë shitëse në Kosovë dhe kemi bashkëpunim shumë të mirë me menaxhmentin e ‘Exit Festival’. Tani numri i të rinjve që duan të vinë në ‘Exit Festival’ është tejet i madh dhe presim që vitin e ardhshëm të kemi numër më të madh të të rinjve nga Kosova që duan të marrin pjesë në këtë festival”, ka thënë Emini.

Ai ka thënë se kanë një bashkëpunim të mirë me “Exit Festival” dhe publiku kosovarë pritet mirë në Novi Sad.

Krijuesi Bujar Meholli ka thënë për KALLXO.com se kultura mund të bashkojë popujt, por, pa ndërruar qasja e Serbisë ndaj Kosovës vështirë të pritet normalizim raportesh dhe pjesëmarrje të ndërsjella nëpër ngjarje kulturore, siç është “Exit Festival”.

“Në ‘Exit’ kanë zbarkuar artistë si ‘Stromae’, ‘Pet Shop Boys’ apo ‘Paul Kalkbrenner’. Pra, kemi të bëjmë me një event muzikor/kulturor të rëndësishme për afrimin e njerëzve përmes muzikës, mirëpo nëse shohim interpretimet e artistëve shqiptarë në këtë festival, nuk mund të themi se prania e tyre është e madhe”, ka thënë ai.

Ndërkaq kritiku, Ilir Muharremi është shprehur për KALLXO.com se artistë nga Kosova duhet të performojnë në Serbi dhe ata nga Serbia në Kosovë.

“Arti nuk ka nevojë të përzihet me politiken. Artistët e pastër pse mos të marrin pjesë në Serbi. Askush nuk i refuzon këngëtarët serbë të vijnë edhe në Kosovë, por jo ata që nxitin nacionalizmin ose kanë propaganduar krimin”, ka thënë Muharremi.

“Exit Festival”-li

“Exit Festival” është themeluar në viti 2000. Është ndër festivalet më të mirët që organizohet në Ballkan, i vlerësuar madje me çmime të rëndësishme dhe i konsideruar ndër festivalet e muzikës më të mira në botë.

Në këtë festival kanë performuar artistë të njohur nga e mbarë si: Pet Shop Boys, Billy Idol, The Cure, The Killers, Guns N’ Roses, Franz Ferdinand, Motörhead, Iggy Pop, David Guetta, Massive Attack, Liam Gallagher, Grace Jones, Fatboy Slim, Cypress Hill, Beastie Boys, Snoop Dogg, etj.

Festivali mbahet në fillim të muajit korrik të çdo vit. Edicioni i ardhshëm i “Exit Festival” do të mbahet pre më 2022.