Teatri Kombetar

foto; Denis Sllovinja

Dështon konkursi për Udhëheqësin Artistik të Teatrit Kombëtar, regjisori Zymberi tërhiqet nga gara   

Erson Zymberi nuk është paraqitur sot në intervistën me gojë në konkursin për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës. 

Regjisori Zymberi ishte i vetmi kandidat, i cili pas përfundimit të testit me shkrim ishte përzgjedhur si kandidati që kishte marrë pikët e nevojshme për t’u ftuar në intervistën me gojë. 

Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës, i cili ligjërisht i zgjedh drejtuesit e TKK-së, kishte caktuar ditën e sotme për të zhvilluar intervistën me gojë të Zymberit. 

Por, një orë e gjysmë para kohës kur ishte caktuar intervistimi, Zymberi e ka njoftuar Ministrinë e Kulturës dhe Këshillin Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës se është tërhequr nga konkursi. 

“Ju njoftojmë se, intervista për pozitën  Udhëheqës Artistik, e caktuar të mbahet sot më datë  23.05.2022, nuk do  të mbahet për shkak të tërheqjes së të vetmit kandidat, sot më datë 23.05.2022,  me e-mail në ora 09.24 minuta, i cili ka arritur pikët e nevojshme për  intervistë”, thuhet në njoftimin MKRS dërguar në adresë të KALLXO.com. 

KALLXO.com ka monitoruar procesin përzgjedhjes së Udhëheqësit Artistik të TKK-së. 

As MKRS e Këshilli Drejtues i Teatrit Kombëtar të Kosovës nuk kanë komentuar tërheqjen e Zymberit nga gara për deri në publikimin e këtij artikulli. 

Ndërsa, regjisori Erson Zymberi, i kontaktuar nga KALLXO.com parmes telefonit ka thënë se nuk ka çfarë komenton më shumë se njoftimi që ka dërguar në adresë së Ministrisë së Kulturës dhe Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

“Për arsye personale jam tërhequr nga gara, nuk kam arsye tjetër”, ka thënë ai për KALLXO.com. 

Në garë për zgjedhjen e Udhëheqësit Artistik të TKK-së, përveç Zymberit, kishin konkurruar edhe Arta Muçaj, Sokol Plakolli, Elhame Kutllovci dhe Saranda Elshani. Dy të fundit, Kutllovci dhe Elshani nuk u paraqitën në testim me shkrim, të mbajtur më 19 prill 2022. 

Vetëm Zymberi arriti të marrë pikët e nevojshme nga testimi me shkrim nga KD i TKK-së për të kaluar tutje.