Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Dështoi me kodet buxhetore, MKRS synon rihapjen e llogarive të institucioneve kulturore në bankat komerciale

Pasi ka dështuar të sigurojë pavarësi financiare, konkretisht funksionalizimin e kodeve buxhetore, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve po synon rihapjen e xhirollogarive të institucioneve kulturore në banka komerciale.

Në verën e 2018-ës, MKRS urdhëroi institucionet kulturore vartëse, të mbyllin llogaritë bankare në banka.

Bllokimi i xhirollogarive ishte bërë me urdhër të MKRS pasi Zyra Kombëtare e Auditimit, kishte konstatuar se xhirollogaritë e institucioneve nuk ishin bërë me leje të thesarit (Ministrisë së Financave).

Që ai vit, të gjitha transaksionet financiare, pagesat e institucioneve, kryhen përmes MKRS-së.

Për vite me radhë, MKRS premtoi që institucionet si: Teatri Kombëtar, Filharmonia, Baleti, Galeria Kombëtare, e institucionet tjera, do të kenë pavarësi financiare, përmes funksionalizimit të kodeve buxhetore.

Por, Ministria dështoi të sigurojë pavarësi financiare për institucionet e saja, pavarësisht se këto institucione janë renditur si nënprograme, që nënkupton se planifikimi dhe shpenzimi në bazë të planifikimit sipas Ligjit për Buxhetin 2021.

MKRS ka konfirmuar për KALLXO.com synimet e saja për rihapjen e llogarive bankare të institucioneve kulturore.

Zana Fetiu, këshilltare për media e ministrit të Kulturës, ka thënë për KALLXO.com se hapja e kontove për institucionet, do të bëhet sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave, përkatësisht Thesarit të shtetit.

“MKRS ka dërguar kërkesën në Ministrinë e Financave sa i përket kësaj çështjeje, ndërsa aktualisht janë duke u shqyrtuar modalitete për të vazhduar me procedurat tutje, natyrisht brenda kornizës ligjore. Hapja e kontove për institucionet do të bëhet sipas udhëzimeve të Ministrisë së Financave, përkatësisht Thesarit të shtetit”, ka thënë ajo.

Por, ajo nuk ka treguan ndonjë afat se kur do të rihapen kontot e institucioneve.

Në anë tjetër drejtues të institucioneve të kulturës, janë në pritje të vendimit të Ministrisë për rihapjen e kontove në bankat komerciale.

Naser Shatrolli, zëvendësuese i drejtorit të Përgjithshëm të Teatrit Kombëtar ka thënë për KALLXO.com se ka premtime nga MKRS për hapjen e llogarive bankare.

Sipas tij, mënyra e financimit të TKK-së nuk ka ndryshuar nga vitet e mëparshme.

“Po vazhdojmë edhe më tej ashtu dhe presim që të ndodhë dekodimi logjistik dhe ligjor për të pasur qasje në menaxhimin buxhetor”, ka thënë Shatrolli.

Edhe Kreshnik Musolli, zëvendësuese i drejtorit të Baletit Kombëtar, ka potencuar për KALLXO.com se  ende janë në pritje të një përgjigje nga MKRS lidhur me hapjen e llogarisë bankare.

“Përkundër kërkesave të vazhdueshme nga ana jonë si dhe problemeve të mëdha që i kemi që nga 2018, problemeve me vonesa të shumta të pagesave të ndryshme të projekteve dhe aktiviteteve tona, ende nuk ka asnjë lajm nga ana e tyre se çka do të ndodhë me këtë çështje”, ka thënë ai.

Raporti i ZKA-së i 2018, për pasqyrat financiare vjetore të Ministrisë së Kulturës për vitin 2017, kishte konstatuar se institucionet vartëse të kësaj ministrie kanë përdorë llogari bankare pa lejen e Thesarit.