Komisioni për ASHTIKRS. Foto: Isa Vatovci

Deputetët fillojnë procedurat për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Këshillit të Trashëgimisë Kulturore

Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport i Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar të martën listën e kandidatëve për Anëtarët e Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore (KKTK).

Komisioni i kryesuar nga nënkryetari Jahja Koka vendosi që administrata e Kuvendit të shqyrtojë dosjet e kandidatëve konkurrues për anëtarë të KKTK dhe kandidatët që nuk i plotësojnë kriteret e konkursit të mos merren parasysh.

Në garë për zgjedhjen e Bordit të KKTK-së janë 59 konkurrentë. Që nga korriku i 2018 KKTK-ja është pa Bord duke e lënë jashtë funksionit njërin prej institucioneve kryesore të trashëgimisë kulturore në vend.

Në mbledhjen e së martës Komisioni u pajtua që administrata t’i shikojë dosjet e konkurrentëve dhe vetëm kandidatë që kanë dosjet në të kompletuara sipas me kritereve të konkursit të thirren për intervistim edhe pse kishte propozime se duhet formuar një grup punues me anëtarë të komisionit për këtë.

“Shumica votoi që të mos ketë grup. Komisionin për shqyrtimin e dosjeve dhe këtë do ta bëjë administrata e Kuvendit, dhe vetëm ata që kandidatë që i kanë plotësuar kriteret e konkursit të thirren në intervistim”, ka thënë deputeti Jahja Koka, nënkryetar i Komisionit parlamentar.

KKTK-ja sipas ligjit është organi më i lartë sa i përket trashëgimisë kulturore dhe vendimtar në miratimin e listës së aseteve që futen në listë të përhershme të mbrojtjes.

Mos funksionimi i Bordit krijon problem të ndryshme për funksionimin e KKTK-së.

Isuf Koci, udhëheqës ekzekutiv në KKTK ka thënë për KALLXO.com se vonesat në zgjedhjen e Bordit do të ndikojnë punën e këtij institucioni.

“KKTK e ka në mandat trajtimin e propozimeve që bën Ministria e Kulturës përmes institucioneve të veta për shpallje në mbrojtje të përhershme të trashëgimisë kulturore. Mungesa e anëtarëve të Bordit ka pasoja pasi që propozimet që mund të vijnë nga MKRS dhe të cilat duhet të trajtohen nga stafi profesional i KKTK-së nuk mund të ketë vendimmarrje, si pasojë e mungesës se anëtarëve të Bordit të KKTK-së”, ka thënë ai

Sipas Kocit, vlerësimi i projekteve në trashëgimi kulturore është përgjegjësi ligjore e KKTK-së.