Debat në Prishtinë në mbrojtje të Teatrit të Tiranës, Edi Rama konsiderohet fajtori kryesor për rrënimin

Lufta për mbrojtjen e ndërtesës së Teatrit Kombëtar të Tiranës po vjen duke u bërë gjithnjë e më e ashpër.

Mbrojtësit e ndërtesës të Teatrit të Tiranës mbesin të vendosur që të mos dorëzohen para presioneve të Qeverisë në Tiranë, e cila me çdo kusht kërkon rrënimin e kësaj godine.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit të Tiranës nuk është kundër ndërtimit të një teatri të ri, po është kundër prishjes së objektit të vjetër të Teatrit.

Këto konkludime dolën sot gjatë një debati të mbajtur në Teatrin Kombëtar të Kosovës nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit në Tiranë dhe komuniteti teatror i Kosovës, i cili ishte në një numër simbolik.

Për gati dy vjet në Tiranë vazhdojnë debate pro dhe kundër rrënimit ndërtesës së Teatrit Kombëtar.

Përfaqësues të Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit gjatë debatit në Prishtinë ripohuan pozicionin e tyre kundër rrëzimit, ndërsa nuk u kanë pëlqyer edhe shumë pyetjet rreth përfshirjes së Partisë Demokratike (PD) në protestën e tyre dhe marrëveshjen e arritur me këtë parti.

Sipas Aleancës prapa idesë për rrënimin e ndërtesës së Teatrit qëndron kryeministri Edi Rama, duke hedhur dyshime se me këtë rrënim dhe ndërtimin e teatrit të ri fshihen interesa të mëdha biznesore dhe dyshimet për shpëlarje të parave të pista.

Arsyet e mbrojtjes

Edmond Budina, aktor, përfaqësues i Aleancës për Teatrin, ka thënë gjatë debatit se protestës për mbrojtjen e Teatrit i janë bashkuar shumë intelektualë e qytetarë, të cilët janë vënë në mbrojtje të identitetit kulturor të qytetit dhe shtetit të tyre.

“Ajo ndërtesë është ndërtuar për objekt teatri,  përkundër faktit që propaganda hedh të pavërteta për ta arsyetuar rrëzimin. Në fakt nuk ka teatër më të mirë se ai, por i keqmbajtur, për të arritur deri në ditën për të përfituar edhe truallin për rreth që ka 9 000 metra katrorë”, ka thënë ndër të tjera Budina.

Për Budinën edhe ligji i nxjerrë për Teatrin është i kundërligjshëm.

Ndërsa sa i përket mundësisë së politizimit të protestës pas marrëveshjes së arritur me PD-në, Budina ka përjashtuar çdo ndikim politik në kauzën e protestës

Rama, e keqja e artit

Kurse aktori Neritan Liçaj, po nga Aleanca, ka potencuar se veprimet e Qeverisë për rrënimin e ndërtesës së Teatrit Kombëtar në Tiranë, duke miratuar edhe ligjin për rrënim, janë  bërë duke shkelur Kushtetutën.

Edhe Liçaj ka pohuar se nuk qëndrojnë arsyet për rrënimin e ndërtesës, pasi ajo është në gjendje të mirë, vetëm se duhet mirëmbajtur.

Sipas tij, ndërtesa ka vlerë historike dhe është një nga arkitekturat më të rralla në botë, duke akuzuar kryeministri shqiptar si ‘fajtorin’ kryesor për përpjekjet për rrënimin e ndërtesës.

“Prapa gjithë idesë për rrënimin qëndron një njeri – kryeministri Edi Rama, i cili është e keqja  e artit në Shqipëri, i cili edhe sa ishte ministër Kulture synonte shkatërrimin e institucioneve kulturore”, ka thënë ndër të tjera Liçaj.

Ndërsa nuk parapëlqeu pyetje që lidhen me marrëveshjen e bërë me PD-në dhe mundësinë e politizimit të kauzës së tyre për mbrojtjen e ndërtesës së Teatrit të Kombëtar.

“E para është detyrë e opozitës për të na mbështetur. E dyta është risi për politikën shqiptare sepse nuk prek protestën tonë. Nuk është se qeveritë e mëparshme kanë bërë ndonjë gjë të madhe por të paktën na kanë lënë rehat. Por këta nuk na lanë”, ka pohuar Liçaj.

Ndërsa Juli Emiri ka kujtuar se në mbrojtje të ndërtesës së Teatrit Kombëtar ka dalë edhe ‘Europa Nostra’.

“’Europa Nostra’ e ka futur godinën në 14-she të objekteve në mbrojtje dhe ne po presim që ta futet në 7-shën e parë”, ka thënë ajo.

Gjatë debatit kanë folur edhe Ardiana Tolka, Gent Gaba e Mirela Karabina.

Përfaqësues të  Aleancës për mbrojtjen e Teatrit të Tiranës kanë mirëpritur idenë për organizimin e debateve të tilla që sipas tyre kontribuojnë edhe në një klimë më të mirë për trajtimin e problemeve që e sot përballet skena teatrore shqiptare. 

Përveç pyetjeve dhe ndonjë kundërshtimi sa i përket zhvillimeve rreth çështjes së Teatrit, mysafirët nga Tirana morën edhe sugjerime nga kolegët në Prishtinë.

“Sido që t’ju vijë puna, ta ruani apo ta ndërtoni objektin e ri të teatrit, ju kisha lutur që të mos i lini artistët e rinj pa teatër, siç dikur kemi mbetur ne pa një teatër për kapriço të disave”, ishte porosia e aktorit Nimon Muçaj për Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit të Tiranës.