Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

COVID-19 vë në pikëpyetje fillimin e sezonit vjeshtor në teatrot kosovare  

Situata dramatike me Coronavirus dhe masat e qeverisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë, kanë krijuar një situatë të paqartë edhe për fillimin e sezonit vjeshtor në teatrot kosovare.

Deri më 26 të këtij muaji, teatrot nuk mund të japin shfaqje për publiku. Masat e qeverisë lejojnë vetëm prova dhe transmetimin online (pa publikë) të shfaqjeve nga teatrot.

Të kontaktuar nga KALLXO.com, disa prej drejtorëve të teatrove publike në vend kanë përjashtuar mundësinë e transmetimin online të shfaqjeve.

Drejtues të këtyre teatrove kanë thënë për KALLXO.com se, janë duke bërë përgatitjet për repertorin e rregullt, me shpresë së  pas 26 shtatorit do të ketë lehtësim të masave anti-COVID-19.

Agron Gërguri, drejtori i Teatrit “Avdush Hasani” të Podujevës, ka përjashtuar mundësinë që teatri që ai drejton të transmetojë online shfaqje nga repertori i tij.

“Nuk jam idhtar i mbijetesës së teatrit përmes video-prezantimit. Pavarësisht kësaj video prezantimi mund të jetë vetëm marketing sepse Teatri është vetvetja vetëm kur është i gjallë dhe i atypëratyshëm, i drejtpërdrejtë”, ka thënë ai.

Gërguri ka bërë të ditur se teatrin “Avdush Hasani” ka nisur provat për realizimin e një shfaqje për fëmijë, ndërsa është në përgatitje për pjesëmarrje në Festivalin e Teatrove në Ferizaj dhe në Gostivar, muajin që vjen.

Shfaqjet online nuk do të transmetohen as nga Teatrin i Qytetit të Ferizajt, “Adriana Abdullahu” (Teatri Adriana).

Fatmir Hyseni, drejtor i Teatrit “Adriana”, ka thënë për  KALLXO.com se do të presin pas 26 shtatorit, me shpresë se do të ketë mundësi për mbajtjen e repertorit të rregullt.

“Ne jemi duke u përgatit për sezonin e ri me ushtrime për shfaqjet e reja, dhe nuk kemi marre vendim për shfaqje online. Ne do ta shohim mundësinë për repertor të rregullt pas 26 shtatorit”, ka thënë Hyseni.

As Teatri “Bekim Fehmiu” i Qytetit të Prizrenit nuk planifikon transmetimin online të shfaqjeve.

“Nuk do të kemi shfaqje online, jemi duke punuar sipas udhëzimeve të qeverisë për masat mbrojtëse anti-Covid-19, shohim pas 26 shtatorit”, ka thënë Burim Mustafa, drejtor i teatrit “Bekim Fehmiu” në Prizren.

Vitin e kaluar pas shpërthimit të pandemisë së Coronaviuesit, për disa muaj disa prej teatrot kosovare bënë transmetimin online të shfaqjeve nga repertori i tyre.

Ato hartuan edhe një repertor të përbashkët. Shfaqjet u transmetuan njëkohësisht në Facebook-un e teatrove.

Masat e qeverisë  që do të jenë në fuqi deri më 26 shtator 2021, lejojnë vetëm prova dhe transmetimin online të shfaqjeve nga teatrot.

“Teatrot, orkestrat, ansamblet, baleti lejohet të organizojnë shfaqje online (pa prezence të publikut) si dhe të mbajnë ushtrimet”, thuhet në pikën 55.1, të vendimit të Qeverisë së Kosovës të datës 12 shtator 2021.