COVID -19 godet turizmin kosovar

Përhapja e pandemisë COVID-19 ka goditur rëndë edhe turizmin kosovar, një sektor ky me potenciale të mëdha ekonomike.

Baki Hoti, kryetar i Shoqatës së Turizmit Alternativ të Kosovës, në një prononcim për Kallxo.com ka thënë se për shkak të COVID-19 industria e turizmit është në kolaps total.

Ai ka thënë se sektori i turizmit ka nevojë për një vëmendje më të madhe nga ana e qeverisë.

Hoti ka thënë se për këtë arsye ShTAK kërkon një zgjidhje, me qëllim që të shpëtohet industria e turizmit, e cila siç ka thënë ai, ka ndikim të madh në ekonominë e vendit dhe në krijimin vendeve të punës.

“Në këtë periudhë të rëndë për shkak të COVID-19 ky sektor është blloku i tëri dhe në situatën aktuale rezervimet për periudhën prill-maj-qershor 2020 janë zero, pasi janë anuluar të gjitha grupet, si ato kulturore po ashtu edhe ato te aventurës, hikingut, etj, që kishin planifikuar të vizitonin Kosovën gjatë kësaj periudhe”, ka pohuar Hoti.

Nisur nga ky fakt sipas Hotit, gjendja e krijuar nga coronavirusi po goditet jo vetëm turizmit, por një zinxhir të tërë industrish të lidhura me turizmin, duke rrezikuar falimentimin e shumë bizneseve.

Kryetari i ShTAK-ut, Hoti ka potencuar më tej se të gjithë operatorët dhe agjencitë e udhëtimit janë duke anuluar të planifikimet e bërë, ndërsa më keq qëndrojnë agjencitë apo turo-operatorët të cilët kanë bërë shitje promocionale me kushte të pakthyeshme, nga 1 janari i këtij viti.

Si mjaft shqetësuese Hoti e sheh edhe rrezikun e humbjes së mijëra profesionistëve të cilët gjatë 3 -4 viteve janë përgatitur për fushat që janë të lidhura me turizmin, pasi siç ka thënë ai, biznese e kanë të pamundur që t’i mbajnë në punë nga mos ushtrimi i aktivitetit të tyre.

“Duke qenë koshient për situatën e vështirë në të cilën ndodhemi ne e konsiderojmë bashkëpunimin qeveri-biznes si të vetmen alternativë për t’i bërë ballë kësaj situate dhe mendojmë se kërkesat tona kërkojnë vlerësim të menjëhershëm në mënyrë që të shpëtojmë këtë sektor të rëndësishëm të ekonomisë sonë nga falimentimi i plotë”, ka thënë Hoti për Kallxo.com.