Çka dihet për angazhimin e Xhafer Devës me nazistët gjerman?

Një postim i ambasadorit gjerman në Prishtinë, Joern Rohde, përmes të cilit shpreh shqetësim lidhur me restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës, ka ngjallur reagime të ndryshme në Kosovë.

Të hënën, ambasadori Rohde përmes një postimi në Twitter shprehu shqetësimin e tij, lidhur me planet e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit për restaurimin e shtëpisë së Devës në Mitrovicë.

Shqetësimin e tij Rohde ka shkruar se e mbështetët në të kaluarën e Devës, duke e quajtur bashkëpunëtor të nazistëve.

Në fakt, Deva ishte i tillë. Gjatë pushtimit gjerman, gjatë Luftës së Dytë Botërore (LDB), të një pjese të Kosovës, ai u angazhua për organizmin e pushtetit në Mitrovicë – Podujevë – Vushtrri – Novi Pazar, duke bashkëpunuar me nazistët.

Shqetësimet e ambasadorit Rohde

Ambasadori Rohde ka shkruar në postimin e tij se Deva ishte bashkëpunëtor dhe protagonist i Divizionit famëkeq nazist, “SS – Skanderbeg”.

“Shumë i shqetësuar për planet e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës, një bashkëpunëtor/protagonist i njohur nazist i SS famëkeq Skanderbeg Div. Asnjë zbardhje e historisë! Mos e shtrembëroni të vërtetën në lidhje me Holokaustin ose krimet e luftës të kryera nga nazistët dhe bashkëpunëtorët vendas”, ka shkruar në Twitter, ambasadori Rohde.

Lidhur me këtë çështje Kallxo.com ka kërkuar të informohet nga Ambasada gjermane, se ku i mbështet ambasadori pohimet e tij për Devën. Deri në publikimin e artikullit Ambasada nuk ka kthyer përgjigje.

KALLXO.com nuk ka mundur të marrë një prononcim nga Bashkësia Hebraike e Kosovës, për këtë çështjet. Zyrtarë të saj i kanë thënë KALLXO.com se së shpejti do të dalin me një qëndrim rreth këtij rasti.

Sqarimi i ministrit

Ndërkaq, ministri i MKRS-së, Hajrulla Çeku, përmes një postimin në Facebook ka arsyetuar planet e ministrisë për restaurimin e shtëpisë së Devës.

Çeku është shprehur përmes këtij postimi se ministria nuk ka në plan rehabilitimin e figurës së Devës, por, vlerave arkitektonike që bartë objekti.

“Ne nuk bëjmë revizionizëm historik dhe rehabilitim të figurave. Në fakt, burimi i gjithë kësaj zhurme të panevojshme është fqinji ynë verior që revizionizmin historik e ka politikë kombëtare dhe që reagon ndaj secilit zhvillim pozitiv në Kosovë. Detyra jonë është t’i mbrojmë monumentet tona”, ka shkruar ndër të tjerash Çeku, në Facebook

Por, kush ishte Xhafer Deva?   

Xhafer Deva ishte një nacionalist shqiptar nga Mitrovica. Historiani Haxhi Ademi ka thënë në një prononcim për KALLXO.com se figurën e Xhafer Devës duhet parë në gjithë dritëhijet e saj.

Deva, sipas tij, mbrojti interesat e shqiptare të Regjionit të Mitrovicës, regjion i cili, siç ka thënë ai, pas pushtimit gjerman, u përfshi nën qeverinë kuislinge të Serbisë së Millan Nediqit.

Sipas tij, ata shqiptarë që bashkëpunuan me nazistët e bën, sepse pas pushtimit fituan disa të drejta në krahasim me atë çfarë kishin përjetuar nën Mbretërinë Jugosllave.

“Por, ata shqiptarë nuk e kishin idenë e konceptit të nazizmit. Prandaj, bashkëpunimi i Xhafer Devës me gjermanët duhet parë në këtë kontekst”, ka thënë ai për KALLXO.com.

Ndërkaq, ka shtuar se po të ishte një kriminel, Deva nuk do të mund të shkonte lirshëm në ShBA.

“Në vitin 1956, Xhafer Deva emigroi në Amerikë. Athua do ta mbante Amerika një kriminel lufte, përgjegjës për Holokaustin, kur dihet se është Amerika që kapi kriminelët nazistë, organizoi gjykimin dhe i dënoi me varje e burgime të rënda nazistët”, ka thënë ai.

Kush ishte Xhafer Deva sipas Fjalorit Enciklopedik të AShAK-ut – 2018-të

“Fjalori enciklopedik i Kosovës” (2018), jep pak të dhëna për Xhafer Devën. Sipas këtij fjalori Deva, pas kapitullimit të Mbretërisë së Jugosllavisë, Deva u angazhua për organizimin pushtetit  në Rajonin, Mitrovicë – Podujevë – Vushtrri – Novi Pazar, zonë që ishte nën pushtimin gjerman.

Gjatë Qeverisë së Rexhep Mitrovicës, Deva mbajti postin e ministrit të Brendshëm. Ndërsa drejtoi edhe organizatën ‘Lidhja e Dytë e Prizrenit.

Historiku i shtëpisë së Devës

Sipas të dhënave të MKRS-ë, shtëpia e Devës është një objekt publik i ndërtuar në vitin 1930. Nga viti 2020 është në Listën e Trashëgimisë Kulturore, në mbrojte nga shteti.

MKRS nuk ka treguar për KALLXO.com se cilat janë kriteret në përzgjedhjen e objekteve monumentale që janë apo kanë qenë dikur pronë e personaliteteve me të kaluar të dyshimtë, për t`u përfshirë në listë të mbrojtjes.

Restaurimi i këtij objekti nisi në 2018. Ndërsa, vazhdimi restaurimit të fazës tjetër nisë në fillim të këtij muaji.

Planet e MKRS janë që pas restaurimit shtëpia e Devës të funksionojë si galeri arti dhe vendosjen e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë për Rajonin e Mitrovicës.

Lidhur me deklarimin e ambasadorit gjerman ka reaguar edhe Nora Weller, eksperte në fushën e trashëgimisë kulturore.

Weller ka shkruar në Twitter se me postimin e tij, Rohde ka bërë një lëvizje shumë diplomatike të dëmshme duke pretenduar se shoqëria kosovare është antisemite.

“Shumë shqetësuese për të parë se si Amb. për Kosovën ka bërë një lëvizje shumë diplomatike të dëmshme duke pretenduar se shoqëria kosovare është antisemite për restaurimin e një ndërtese në të cilën jetonte një bashkëpunëtor gjerman”, ka shkruar Weller në Twitter.

Weller i reagon ambasadorit gjerman për shtëpinë e Xhafer Devës