Çështja e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, flet ministri Çeku
Që nga viti 2015 kur dështoi të anëtarësohet në UNESCO, Kosova nuk ka aplikuar më për t’u bërë anëtare e kësaj organizate të rëndësishme ndërkombëtare për arsim, kulturë dhe trashëgimi kulturore.
Pavarësisht paralajmërimeve për riaplikim për anëtarësim, institucionet vendore nuk kanë shpalosur ndonjë veprim në lidhje me këtë proces.
Lidhur me këtë çështje ka folur të mërkurën, më 13.11.2024, Hajrulla Çeku, ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, gjatë një konference për media, të mbajtur pas mbledhjes së qeverisë.
Çeku tha se çështja e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është në kompetencë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ndërsa MKRS-ja, “do të ofrojë ndihmën e nevojshme”.
“Çështja anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare është ekskluzivitet i Ministrisë së Punëve të Jashtme. Unë besoj se ajo është ministria më kompetente për të bërë vlerësimin e momentumit, mënyrën, strategjinë dhe qasjen… Ne gjithmonë përgatitemi, i bëjmë veprimet tona, bile sa i përket fushës së trashëgimisë kulturore, që është e rëndësishme për UNESCO, ne bëjmë shumë punë, sepse çështja e anëtarësimit nuk është vetëm një procedurë teknike e aplikimit dhe e pranimit, por edhe e përmbushjes së shumë detyrimeve që i kemi si shtet”- tha ai.
Kosova, sipas tij, e meriton dhe duhet të jetë pjesë e UNESCO-s.
Ajo çfarë ka ndodhur më 2015, sipas Çekut, ka qenë “një fatkeqësi dhe padrejtësi ndaj vendit”, andaj “do të bëhet çmos që sa më shpejt Kosova të jetë pjesë e UNESCO-s”.
“Ne po i bëjmë detyrat e tona, që është shumë e rëndësishme, ndërsa momentumi politik do të vlerësohet nga ekspertiza e MPJ-së. Ne do të jemi aty sa herë që ka nevojë që ta mbështesim këtë çështje”- tha Çeku.
Në vitin 2015, Kosova dështoi të anëtarësohet në UNESCO gjatë Asamblesë së përgjithshme të kësaj organizate. Nga 142 anëtarët e pranishëm, 92 votuan për pranimin e Kosovës, 50 ishin kundër dhe 29 abstenuan.