Ministri Hajrulla Çeku. Foto: KALLXO.com

Çeku: Këto ditë pritet fillimi i punimeve në Kompleksin Memorial "Adem Jashari"

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka thënë se këto ditë pritet fillimi i punimeve në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz të Skenderajt.

“Komiteti ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz ka bërë disa hapa konkret në këta muaj të themelimit: vlerësimi i gjendjes fizike të ndërtesave brenda kompleksit, ndërsa këto ditë nisin ndërhyrjet e para emergjente në ndërtesat e rrezikuara. Është themeluar edhe komisioni i ekspertëve, me ekspertë të Kosovës dhe të huaj, ndërsa vitin e ardhshëm do të punojmë intensivisht për master planin e kompleksit përmes konkursit ndërkombëtar”, ka deklaruar ai në konferencën e fundvitit.

Ai po ashtu ka thënë se ministria ka dërguar në Këshillin e Kosovës Kosovës për Trashëgiminë Kulturore (KKTK), dosjet e 54 aseteve të trashëgimisë për listën e përhershme të mbrojtjes.

“Sot kemi dorëzuar 54 dosje të aseteve të trashëgimisë kulturore për mbrojte të përhershme në KKTK dhe me ritëm të shtuar do të vazhdojmë edhe gjatë viti të ardhshëm”, ka thënë Çeku.

Këto ai i ka prezantuar në konferencën e fundvitit të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Çeku ka numëruar punët që janë bërë në fushën e trashëgimisë dhe të kulturës, duke treguar edhe planet për vitin që vjen.

Ministri Çeku ka thënë se MKRS ka hartuar disa rregullore për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore.

Ai ka folur edhe për investimet e bëra në trashëgiminë kulturore, ndërsa ka thënë se për vitin 2022 MKRS ka planifikuar një buxhet prej 5.4 milionë eurove për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, prej të cilave 1 milion për ndërhyrje emergjente.

Ndërkaq sa i përket kulturës, Çeku ka thënë se për vitin e ardhshëm, MKRS planifikon investime në disa projekte kapitale kulturore.

Çeku ka thënë se MKRS planifikon të nisë proceduar për ndërtimin e ndërtesës së operës, restaurim të objektit të TKK-së, dhe ndërtimin e objektit të Muzeut të Arteve Moderne.

“Sa i përket objektit të Operës, ne do të kemi takim me kryetarin e Prishtinës dhe në momentin që të dakordohemi për lokacionin, do të fillojmë me procedurat për ndërtimin e objektit”, ka thënë ministri Çeku.

Çeku ka thënë se është duke u punuar për pavarësimin financiar të institucioneve të kulturës kombëtare.

Sa i përket ligjeve, ai ka thënë se MKRS po punon për hartimin e projektligjit unik për kulturën dhe ka rikthyer për diskutim projektligjin për kinematografinë.